Trajneri i Atalantës: Me Bajernin, ëndrrat ekzistojnë

- Bota Sot

Trajneri i Atalantës: Me Bajernin, ëndrrat ekzistojnë

Në prag të ndeshjes së parë të 1/8-ve të finales së Champions League kundër Bajernit të Mynihut, trajneri i Atalantës, Rafaele Paladino, foli për emocionet dhe pritshmëritë e skuadrës së tij.

“Për ne nesër(sot) do të jetë një natë magjike, e bukur, që duam ta shijojmë. Është një ëndërr të përballemi me Bajernin, një nga skuadrat më të forta në botë dhe ndoshta më në formë midis pesë kampionateve kryesore evropiane”, tha Paladino.

Ai e përshkroi sfidën si një “Mission Impossible”, por shtoi: “Ne e dimë forcën e tyre, por ëndrrat ekzistojnë dhe duam ta luajmë ndeshjen duke i vështirësuar ata. Në shtëpinë tonë duam të përsërisim performancën si ndaj Borusias, nuk presim dot të dalim në fushë”.

Atalanta mbetet përfaqësuesja e vetme e Italisë ende në Champions. Paladino shprehu krenarinë e tij. “Është një kënaqësi e madhe dhe një arsye për krenari të përfaqësojmë gjithë Italinë. Ndjejmë mbështetjen e të gjithëve, në ditët e fundit kam marrë shumë mesazhe inkurajuese nga kolegë dhe ish-lojtarë te Fiorentina dhe Monza. Nuk duam t’i vendosim kufij vetes. Duam ta luajmë lojën tonë, edhe pse ata janë një skuadër shumë e fortë. I kemi studiuar dhe është një mundësi për mua të përballem me lojtarë kaq të fortë”, tha ai.

Trajneri italian foli edhe për detajet taktike. “Ata kanë pak pika të dobëta. Kanë individualitete të mëdha në sulm, të jashtëzakonshëm në një kundër një dhe në thellësi me Kejn. Por ne nuk duhet të ndryshojmë stilin tonë. Nuk duhet të ulet ritmi dhe gjithmonë duhet të rritet intensiteti. Kjo është forca jonë dhe nesër(sot) duam ta luajmë ndeshjen”, vazhdoi më tej.

Paladino komentoi edhe mungesat e rëndësishme në sulm, mbrojtje dhe mesfushë. “Do të kishte qenë më mirë të ishim të kompletuar, Raspadori dhe De Ketelare janë lojtarë shumë të fortë, ashtu si Ederson dhe Skalvini që janë thelbësorë.

Por nuk mendoj për ata që mungojnë, sepse jam i sigurt se ata që janë nesër(sot) do të japin gjithçka për këtë fanellë. Do të përpiqemi të mbyllim të paktën 90 minutat e para duke djersitur për fanellën dhe duke dhënë kënaqësi tifozëve tanë”, deklaroi.

Duke folur për kampionatin, Paladino theksoi se Atalanta nuk ka hequr dorë. “Nuk kemi ndalur fare, ndaj Udinezes bëmë një rikthim të madh. Por pavarësisht kësaj, duhet të mbetemi gjithmonë vetvetja deri në fund të sezonit”, mbylli Paladino.



Lexoni të gjitha në Bota Sot