Liverpool luan duelin e parë ndaj rivalit Galatasarayt

- Bota Sot

Liverpool luan duelin e parë ndaj rivalit Galatasarayt

Nuk duhet ta kthesh kokën shumë prapa për të kuptuar sesi qendrojnë punët. Liverpuli vërtet është gjashtë herë kampion i Europës, dhe një nga kandidatët kryesorë për të fituar Championsin, veçse kur luan në Stamboll ndaj Gallatasarajit, kurrë nuk del nga fusha i lumtur.

Përballja e fundit mes tyre u luajt pikërisht këtë sezon, në fazën e grupit, dhe turqit ia dolën 1-0 me golin e shënuar me penallti nga Osimhen.

Mos do të thotë kjo se Gallata është favorite për kualifikim?

Vështirë ta themi, veçse të kuqtë nga Anglia e dinë vetë se çfarë do të heqin.

Natyrisht, mund të ndodhë edhe e kundërta, që t’u ecë loja mbarë e të triumfojnë bindshëm, por as historia nuk është se I ndihmon shumë.

Në kryeqytetin e vjetër të perandorive, të quajtur edhe Bizant, edhe Kostandinopojë, edhe Qyteti I Perandorit, e tani Stamboll, Liverpuli është mundur në 2006, një vit pasi fitoi Championsin, atëherë me shifrat 3-2. Bilanci është dy fitore të turqve, një e anglezëve dhe dy barazime.

Si vijnë ekipet në këtë sfidë?

Trajneri I stambollinjve, Okan Byryk, është me fat sepse ka në dispozicion të gjithë skuadrën, pa probleme dëmtimesh, pra mund të hedhë në fushë formacionin më të fortë.

Vetëm portieri I dytë, Enes Byjyk është I dëmtuar, ndërsa Gallata është me moral të lartë edhe sepse kryeson Superligën turke, me 4 pikë më shumë sesa Fenerbahçe.

E ndryshme situata në “Anfild”.

Liverpuli humbi së fundmi portierin titullar, Alison Beker, të dëmtuar. Trajneri Arne Slot nuk do të ketë as Federiko Kiezën,  Konor Bredlin, sulmuesin Aleksandër Isak, si dhe japonezin Endo apo italianin tjetër, Leoni.

Të paktën, Mekallister nuk ka probleme, ndërsa të tillë si Ekitike, Konate dhe Frimpong pushuan në fundjavë. Sipas kompanive të basteve, të kuqtë janë favoritë për fitoren, edhe jashtë fushe.



Lexoni të gjitha në Bota Sot