Binjakët shënojnë 10 gola secili

- Bota Sot

Binjakët shënojnë 10 gola secili

Dy futbollistët shqiptarë, binjakët Shpendi, po tërheqin vëmendjen në futbollin italian. Cristian Shpendi me Çesenën dhe Stiven Shpendi me Empolin po zhvillojnë një sezon shumë pozitiv në Serinw B, ku të dy kanë shënuar nga 10 gola dhe po tregojnë formë të shkëlqyer, duke u kthyer në elementë të rëndësishëm për skuadrat e tyre.

Binjakët Cristian dhe Stiven Shpendi, të lindur në Itali nga prindër shqiptarë, po tërheqin vëmendjen me paraqitjet e tyre, duke u kthyer në protagonistë në serinë B.

Sulmuesi Kristian Shpendi është një nga lojtarët më të rëndësishëm te Cesena.

Në sezonin aktual ai ka zhvilluar 28 ndeshje, ku ka realizuar 10 gola dhe 4 asistime, duke u kthyer në një nga pikat kyçe të sulmit të skuadrës.

Ai është një titullar i rregullt, teksa ka një mesatare per 75 minutash për ndeshje

Kristian Shpendi është pjesë e Cesenës që nga viti 2021, kur u promovua në ekipin e parë nga akademia e klubit dhe vazhdon të jetë një nga talentet më premtues të skuadrës.

Në renditjen e golashënusve, Shpendi mban vendin e 5, por diferenca me vendin e dytë është vetëm 3 gola.

Sofa score e vlerëson shqiptarin me një mesatare 6.8 për paraqitjet e tij deri më tani. Ndërkaq, Shpendi ka arritur të marrë edhe ftesë nga Silvinjo në kombëtare. Ai ka luajtur vetëm një ndeshje deri më tani, por është një opsion i mirë për kombëtaren.

Nga ana tjetër, edhe vëllai i tij binjak Stiven Shpendi po kalon një sezon pozitiv me Empoli.

Sulmuesi shqiptar ka regjistruar 26 paraqitje, ku ka realizuar 10 gola dhe 1 asistim.

Stiven ka një mesatare më të ulet të statistikave se vëllai i tij, po megjithatë shpesh herë ka qenë protagonist me Empolin.

Edhe ai ka qenë pjesë e kombëtares së moshave të Shqipërisë, ku me Shqipërinë U-21 ka zhvilluar 9 ndeshje dhe ka shënuar 3 gola.

Performancat e binjakëve Shpendi po tërheqin gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin italian. Në një kampionat të fortë si Serie B, dy sulmuesit shqiptarë po tregojnë se mund të jenë emra të rëndësishëm për të ardhmen, jo vetëm për klubet e tyre, por edhe për Kombëtaren Shqiptare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot