Nuk ka rikthim tek Italia për Verrattin

- Bota Sot

Nuk ka rikthim tek Italia për Verrattin

Ish-lojtari i PSG-së, jashtë që nga janari, është stërvitur me Al Duhail, por nuk rikuperohet në kohë.

Mesfushori 21-vjeçar i Romës i jep freski repartit.

Nuk ka rikthim me fanellën “axurre” për Marco Verratti-n. Trajneri Gattuso ka plane të tjera për Play-off-in e Botërorit në fund të marsit. Mesfushori 33-vjeçar që aktualisht është pjesë e Al Duhail në Katar, nuk pritet të kthehet në fushë gjatë këtij muaji.

Verratti nuk luan prej 15 janarit, por prej disa javësh është stërvitur, duke ushqyer shpresat e trajnerit të Italisë, Gennaro Gattuso, për ta grumbulluar kundër Irlandës së Veriut, duke i besuar regjinë në sfidën e Bergamos dhe finalen e mundshme në shtëpi kundër Bosnjë Hercegovinës ose Uellsit.

Që nga ndeshja e Nations League 2023 në Holandë Verratti nuk është grumbulluar me Italinë për shkak të gjendjes fizike. Trajneri Gattuso ka parë zgjidhje të tjera dhe duket se ka vendosur t’i japë një shans Niçolò Pisilli-t. Lojtari i Romës, i vitlindjes 2004, po kalon një moment shumë pozitiv.

Pisilli ka debutuar me fanellën e kombëtares italiane në “Olimpico”, në tetor 2024, kundër Belgjikës në Nations League.

Kjo është ndeshja e vetme me Italinë deri tani. Ai ka karakteristika të ndryshme me Verratti-n, por mund t’i japë freski mesfushës, që duhet të ketë zotërimin e topit në sfidën me irlandezët.



Lexoni të gjitha në Bota Sot