Dilema e Bayernit

- Bota Sot

Dilema e Bayernit

Bayerni i Mynihut përjetoi një situatë të vështirë pas fitores së thellë 6-1 ndaj Atalanta në ndeshjen e parë të 1/8-ave të UEFA Champions League.

Përveç triumfit, skuadra e Vincent Kompany mori një lajm të keq: dëmtimin e portierit të dytë, Jonas Urbig, në minutën e 93-të të ndeshjes, gjatë golit të nderit të Atalantës.

Urbig pësoi një goditje të fortë në përplasje me Nikola Krstovic, duke mbetur në tokë i çorientuar dhe me shqetësime vizuale, sipas raportimeve të stafit të Bayern.

Menjëherë pas ndeshjes ai u dërgua në spital dhe pritet të mungojë për 8-10 ditë, duke përfshirë ndeshjen e Bundesligës kundër Bayer Leverkusenit dhe ndeshjen e kthimit ndaj Atalantës, në Champions.

Me portierin kryesor, Manuel Neuer, jashtë loje, Kompany duhet të vendosë mes dy opsioneve: një portier 37-vjeçar që nuk ka luajtur për 18 muaj, Sven Ulreich, ose një talent 16-vjeçar, Leonard Prescott, i cili u thirr për herë të parë në listën e lojtarëve për ndeshjen kundër Atalantës.

Të gjitha shenjat tregojnë se Ulreich do të marrë vendin në portë, megjithëse për të ishte 21 shtatori i vitit 2024 ndeshja e tij e fundit si titullar, një fitore 5-0 ndaj Werder Bremenit.

Prescott, portieri i të rinjve, do të duhet të presë, por Bayern sheh tek ai një të ardhme premtuese, pasi portieri 1,96 metra i gjatë është shumë i kërkuar nga klube të tjera dhe pritet të marrë më shumë minuta në futbollin profesionist para skadimit të kontratës në 2027.



Lexoni të gjitha në Bota Sot