E ardhmja e sulmuesit Santiago Gimenez te Milani duket e pasigurt, ndonëse sapo është rikthyer nga një dëmtim, që e la jashtë për një kohë të gjatë.
Sulmuesi meksikan, i cili refuzoi Romën në gushtin e kaluar për të qëndruar te kuqezinjtë, tashmë ka në dispozicion vetëm tre muaj, saktësisht dhjetë ndeshje, për të bindur trajnerin Massimiliano Allegri se meriton një vend në projektin e sezonit të ardhshëm.
Milani ka nevojë urgjente për gola, pasi shifrat aktuale janë shqetësuese për një klub që synon titullin. Golashënuesi më i mirë i ekipit është Rafael Leao me vetëm 9 rrjeta.
Nëse Gimenez nuk jep sinjale të forta, reparti ofensiv i kuqezinjve pritet të pësojë një tjetër revolucion. Për momentin, të vetmit lojtarë me vendin e siguruar janë Leao dhe Pulisic.
Emra si Nkunku dhe Fullkrug janë nën vëzhgim, me gjermanin që rrezikon blerjen përfundimtare nga Ëest Ham, pasi një gol i vetëm ndaj Lecces nuk mjafton për të paguar 5 milionë eurot e kërkuara.
Ndërkohë, objektivi kryesor i Milanit për rolin e “numrit 9” mbetet Moise Kean. Sulmuesi i Fiorentinës ka një klauzolë prej 62 milionë eurosh, por drejtori sportiv Igli Tare po punon për ta ulur këtë shifër duke përfshirë lojtarë në shkëmbim, ku emri i talentit Francesco Camarda pëlqehet shumë nga pala tjetër.
Në listën e Milanit mbeten edhe alternativa si Nicolas Jackson, Gabriel Jesus, Retegui dhe Guirassy, ndërsa pista Vlahovic duket e mbyllur pasi serbi është pranë rinovimit me Juventusin.