Dështimi i Italisë

- Bota Sot

Dështimi i Italisë

Më në fund një lajm i mirë pas 6 golave që pësoi Atalanta nga Bajern Mynih, 8 golave që mori Juventus nga Gallatasaraj, 5 golave që pësoi Interi nga Bodo/Glimt dhe 6 golave që mori Napoli nga PSV Eindhoven.

Në total bëhen 25 gola të pësuar. Pra, më në fund një lajm i mirë, në çerekfinalet e UEFA Europa League do të kemi me siguri të paktën një skuadër italiane (…).

Megjithatë kam frikë se mund të jetë e vetmja e mbijetuar nga kampionati italian, sepse Fiorentina nuk duket e gatshme të sakrifikojë mbijetesën në kampionat për një Ligë Konference çfarëdo. Ky dështim i madh italian nuk mund të na habisë më.

Jemi po ata që kemi munguar në dy Botërorë radhazi dhe në fund të muajit rrezikojmë të realizojmë edhe “tripletën e turpit”. Përjashtimi i vetëm në UEFA Champions League ka qenë Interi i Simone Inzagit, që në tre sezonet e fundit ka arritur dy finale, edhe pse në të fundit pësoi 5 gola nga PSG. Tek ne gjërat bëhen ose shumë mirë, ose nuk bëhen fare. Ka nga ata që thonë se fajin e kanë ata që e tregojnë keq futbollin, gazetarët e mallkuar që mbrojnë stilin “mbrojtje dhe kundërsulm”, miqtë e historisë dhe armiqtë e modernitetit.

Për futboll mund të flasë kushdo, madje edhe ish-futbollistët. E vërteta, për fat të keq, është një tjetër, prej kohësh na kanë mbaruar paratë, ndaj jemi strehuar tek idetë (jo të gjithë). Por idetë shënojnë pak gola. Jemi të shtrirë si poster në mur. Pa miliona nuk blihen kampionë të huaj; pa kampionë të huaj nuk fitohen kupat; pa programim nuk formohen talente italiane; pa një pasion si ai i Masimo Moratit apo Silvio Berluskonit, pronarët nuk investojnë në cilësi. Sot, kur ndonjë klub zbulon ndonjë talent në shtëpi, e shet menjëherë për një çmim të lartë.

Këto gjëra i kemi shkruar prej vitesh, por më kot. A mund të krahasohet pesha e fjalëve, reflektimeve dhe paralajmërimeve me atë të bilanceve të dështuara dhe borxheve? Ekzistojnë vetëm dy mënyra për të paguar borxhet: duke u përpjekur të rriten të ardhurat ose duke ulur shpenzimet. Klubet tona, në mungesë të të ardhurave të mëdha, kanë ulur shpenzimet, dhe spektakli është varfëruar ndjeshëm.

Në këtë pikë, më mirë të merremi me euro-derbin mes Bolonjës dhe Romës, përballja mes një trajneri që është abonuar me finalet, Vinçenco Italiano, dhe një tjetri që është specializuar në mrekulli teknike dhe në krijimin e pasurisë për klubin, Xhian Piero Gasperini. Si tifoz i flaktë i Bolonjës dhe drejtor i “Corriere dello Sport”, do të kisha dashur ta shihja këtë ndeshje në një finale në Stamboll, e pranoj.

Por nuk mund t’i kesh të gjitha. P.S. Kur flitet për krizën e ekipt kombëtar të Italisë dhe të futbollit italian, që nuk ka prodhuar një kampion të madh që nga 16 maji 2004, harrohet se në vitin 2010 në krye të të kaltërve ishte Marçelo Lipi dhe në 2014-ën Çezare Prandeli, dy trajnerë të shkëlqyer. Çfarë dua të them? Të vazhdosh t’u thuash njerëzve se magjistarët e pankinës janë ata që përcaktojnë cilësinë e lojës dhe sukseset është një gënjeshtër e papranueshme.

Trajnerët, për të fituar jashtë kufijve, kanë nevojë për kampionë. Dhe kur dëgjoj ose lexoj se Bajern Mynih i dha një leksion Atalantës, më ngrihen flokët përpjetë. Në pankinë Vincent Kompani kishte 10 lojtarë më të fortë se 10 titullarët e skuadrës së Rafaele Paladino. Leksionet e vërteta, ato të logjikës, mësohen vetëm në shkollë. Duke studiuar mirë gjuhën dhe realitetin.



Lexoni të gjitha në Bota Sot