Luftëtari mobilizon tifozët drejt Lushnjës

- Bota Sot

Luftëtari mobilizon tifozët drejt Lushnjës

Pika e marrë në transfertën e Kukësit në javën e fundit ka rritur besimin në kampin gjirokastrit se skuadra mund të marrë një tjetër rezultat pozitiv edhe në përballjen e sotme ndaj Lushnjës.

Ekipi i drejtuar nga trajneri Bledar Devolli ka mbyllur dje përgatitjet për këtë sfidë delikate, e cila në stadiumin “Roza Haxhiu” pritet të marrë vërtet karakterin e një finaleje për mbijetesë.

Si Luftëtari, ashtu edhe Lushnja ndodhen në kuotën e 20 pikëve, duke ndarë vendet 10 dhe 11 në renditje. Kjo e bën duelin një përballje direkte mes dy skuadrave që luftojnë fort për të siguruar qëndrimin në kategori.

Për gjirokastritët, një rezultat pozitiv në këtë transfertë do të kishte vlerë të dyfishtë, jo vetëm në aspektin e pikëve, por edhe në planin moral. Të vetëdijshëm për vështirësitë e kësaj sfide dhe për faktin se skuadra luan sërish jashtë fushe, drejtuesit e klubit kanë bërë thirrje për mbështetje maksimale nga tifozët bluzi. Në funksion të kësaj, klubi ka vendosur në dispozicion transport falas me autobusë dhe mjete të tjera, duke synuar që skuadra të ndihet e mbështetur edhe në këtë moment vendimtar të sezonit. Ky veprim shihet si një mesazh i qartë uniteti mes klubit dhe tifozëve, në një fazë ku çdo pikë dhe çdo përkrahje kanë peshë të madhe. Në njoftimin e shpërndarë në rrjetet sociale, klubi ka vënë në dispozicion edhe një person kontakti dhe numër telefoni për të gjithë tifozët e interesuar që duan të udhëtojnë drejt Lushnjës dhe të përkrahin ekipin.

Ja njoftimi i klubit gjirokastrit: “Klubi Luftëtari njofton se për ndeshjen e nesërme kundër ekipit të Lushnjës, që do të zhvillohet në Lushnjë, është vendosur në dispozicion transport me autobusë dhe mjete të tjera për të gjithë tifozët bluzi që dëshirojnë të udhëtojnë dhe të mbështesin skuadrën në këtë përballje të rëndësishme”.

Sfida e “Roza Haxhiut” pritet të jetë një provë e fortë karakteri për Luftëtarin, që synon të hedhë një hap të madh drejt mbijetesës në këtë fazë vendimtare të kampionatit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot