Java në Gjermani: Lufta me Iranin ishte në qendër të debatit politik këtë javë në Gjermani. Kancelari gjerman Friedrich Merz e bëri të qartë gjatë një vizite në Norvegji se Berlini nuk dëshiron të përfshihet në konfliktin mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit.
Ai theksoi se Gjermania po përdor të gjitha kanalet diplomatike për të gjetur një mënyrë për ta përfunduar luftën sa më shpejt dhe kërkon një strategji të qartë daljeje nga konflikti. Në të njëjtën kohë Berlini ka kritikuar edhe lehtësimin e disa kufizimeve për energjinë ruse, duke paralajmëruar se të ardhurat nga energjia mund të forcojnë financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Ndërkohë politika e brendshme gjermane mund të përjetojë një moment historik.Politikani i të Gjelbërve Cem Özdemir fitoi zgjedhjet në Baden-Württemberg, një nga rajonet më të pasura industriale të Evropës, ku ndodhen kompani si Porsche dhe Mercedes-Benz. Nëse ai bëhet kryeministër, do të ishte hera e parë që një politikan me histori migrimi drejton një nga rajonet më të rëndësishme të Gjermanisë.
Özdemir, djali i emigrantëve turq, njihet gjithashtu si një politikan shumë miqësor ndaj Kosovës. Një lidhje interesante për publikun shqiptar është edhe bashkëshortja e tij, **Flavia Zaka**, një juriste e lindur në Shqipëri dhe e rritur në Kanada, e cila mund të bëhet gruaja e parë me prejardhje shqiptare në një rol simbolik të tillë në politikën gjermane. / DW