Ballkani i Therandës është lideri i ri i elitës së futbollit të Kosovës pas një fitoreje të madhe ndaj kampionit në fuqi, Dritës së Gjilanit, me rezultatin 3:0 në stadiumin e Therandës.
Therandasit shënuan herët, Tolaj në minutën e 3-të dhe Potoku në të 38-tën për epërsinë 2:0 në pjesën e parë.
Në minutën e 79-të, Kryeziu vulosi rezultatin 3:0, duke shuar shpresat e Dritës për një rezultat të favorshëm.
Drita mposhtet pas tetë ndeshjeve kampionale, kurse Ballkani tani ka epërsinë psikologjike, për faktin se është në krye të renditjes.
Me këtë fitore, Ballkani ngritet në krye të tabelës me 42 pikë pas javës së 24-të, sa ka edhe Drita në vendin e dytë.