Marota zhvilloi menjëherë mbledhje me gjyqtarët

- Bota Sot

Marota zhvilloi menjëherë mbledhje me gjyqtarët

Ndalesa përballë Atalantës ka tensionuar situatën tek Interi, ku tashmë klubi ka zgjedhur në mënyrën e vet si të përballet me këtë krizë, duke heshtur. Një heshtje që shoqërohet edhe me kërkesë llogarie.

I pari që ka kërkuar llogari për arbitrat ka qenë presidenti i zikaltërve, Marota, i cili sipas “Gazzeta Dello Sport” ka zbritur menjëherë në dhomat e zhveshjeve dhe ka zhvilluar një mbledhje me ta, duke i kërkuar shpjegime për momentet e diskutueshme të fundit të ndeshjes si goli i Atalantës apo penalltia që nuk u dha për Fratezin.

Të pranishëm në këtë mbledhje ishin edhe Andrea De Marko, koordinatori federal për raportet mes arbitrave dhe klubit, si dhe Andrea Gervasoni, vëzhguesi i gjyqtarëve. Me pak fjalë, një “rresht për një” para Marotës për të dhënë shpjegimet e rastit.

Pas një gjysmë ore mbledhje, fillimisht mes klubit e arbitrave e më pas mes drejtuesve, Interi urdhëroi heshtjen për mediat. Strategji e zgjedhur për të shmangur që të tensionohej më shumë situata.

Marota dhe Kivu janë larguar më pas nga stadiumi rreth orës 19:00, më shumë se dy orë nga vërshëllima përfundimtare e ndeshjes.

Gjatë asaj periudhe Marota, drejtori sportiv Auzilio, zëvendësi i tij Baçin, menaxheri Ferri dhe i gjithë stafi qëndruan të mbyllur në dhomat e zhveshjeve që të kalonin momentet e tensionit dhe të flisnin mes tyre për këtë çështje.

Interi kishte përjetuar të njëjtën situatë edhe në ndeshjen ndaj Napolit dhe asokohe Marota vendosi të fliste vetë. Këtë radhë, preferoi të heshte, të paktën publikisht pasi inatin e tij ia kishte shprehur qartësisht gjyqtarëve.



Lexoni të gjitha në Bota Sot