Greqia planifikon blerjen e sistemeve izraelite të mbrojtjes ajrore dhe modernizimin e avionëve luftarakë

- Bota Sot

Greqia planifikon blerjen e sistemeve izraelite të mbrojtjes ajrore dhe modernizimin e avionëve luftarakë

Komisioni parlamentar grek miratoi sot blerjen e një sistemi shumëfunksional të mbrojtjes ajrore me vlerë tre miliardë euro dhe përmirësimin e 38 avionëve luftarakë F-16, në vlerën prej rreth katër miliardë eurosh, konfirmuan dy burime të paidentifikuara të njohura me këtë vendim.

Greqia është tashmë në negociata me Izraelin për blerjen e sistemeve raketore për mbrojtjen ajrore të quajtura “Mburoja e Akilit” me kosto të vlerësuara prej rreth 3 miliardë eurosh, raporton Reuters. “Komisioni parlamentar miratoi projektin, si dhe përmirësimin e avionëve luftarakë F-16”, tha një burim i paidentifikuar i njohur me çështjen.

Greqia planifikon të përmirësojë 38 avionë luftarakë të tjerë F-16 Block 50, të cilët datojnë që nga vitet 1990, në versionin modern Viper me një kosto të vlerësuar prej rreth 1 miliard eurosh, shtoi burimi. Greqia ka një flotë luftarake prej rreth 150 avionësh F-16 dhe tashmë ka përmirësuar rreth 40 avionë.

Qeveria greke ka njoftuar se planifikon të shpenzojë gjithsej rreth 28 miliardë euro deri në vitin 2036 për të modernizuar forcat e saj të armatosura, në një përpjekje për të mbajtur ritmin me Turqinë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot