Emocionet e verës në stadiumin “Air Albania”, kur Dinamo eliminonte Hajduk Splitin dhe barazonte me Jagiellonian në kupat e Europës, janë një kujtim i largët.
Blutë po vuajnë shumë në kampionat dhe stadiumi më i mirë në Shqipëri, nga një fushë komode, është kthyer në pikën e dobët të skuadrës së trajnerit Ilir Daja.
Ndoshta kundërshtarët po e shijojnë më shumë këtë impiant.
Para humbjes së fundit me Teutën në këtë stadium, Dinamo ka dalë pa pikë edhe ndaj Egnatias, Vllaznisë dhe Partizanit.
Po ashtu, ka marrë vetëm një pikë me Elbasanin dhe Bylisin. Shumë pikë të lëna për një skuadër, që pritej të shpaloste gjithë bagazhin e saj teknik në këtë stadium.
Blutë kanë mundur në “Air Albania” vetëm Tiranën 6-2 dhe Vorën 2-1. Ndeshjet e fundit në këtë stadium kanë qenë fatale për 18 herë kampionët e vendit, që po përjetojnë një krizë të thellë aktualisht, duke kompromentuar objektivat e sezonit.
Si skuadër pritëse, Dinamo ka lujtur gjatë këtij kampionati në stadiumin tjetër të kryeqytetit, “Selman Stërmasi”, si dhe në “Elbasan Arena”.