Gjermania ashpërson kontrollin ndaj çmimeve të karburanteve

- Bota Sot

Gjermania ashpërson kontrollin ndaj çmimeve të karburanteve

Qeveria gjermane pritet të paraqesë këtë javë në parlament një projektligj për forcimin e kontrollit mbi çmimet e karburanteve, duke detyruar kompanitë e naftës të dyshuara për abuzime të provojnë se kanë vepruar ligjërisht.

”Autoriteti Federal i Kartelit (BKA), institucioni përgjegjës për konkurrencën në Gjermani, do të ketë kompetenca të zgjeruara për të kontrolluar shpejt dhe ndalur mbifaturimet në tregtinë me shumicë”, njoftoi ministrja e Ekonomisë, Katherina Reiche.

Rritja e fortë e çmimeve të karburanteve, e lidhur me bllokimin e Ngushticës së Hormuzit nga Irani, pas sulmeve nga Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara,  po ndihet veçanërisht në ekonominë më të madhe të Europës, e cila tashmë përballet me vështirësi industriale dhe tensione tregtare.

Sipas ministres Reiche, çmimet në pikat e karburantit në Gjermani janë rritur më shumëse mesatarja europiane” dhe sektori nuk ka dhënë shpjegime bindëse për këtë rritje.

Me masat e reja, në rast dyshimi për abuzim, autoritetet do të kërkojnë nga kompanitë e naftës të paraqesin të dhëna mbi çmimet dhe mënyrën se si ato formohen, duke përmbysur barrën e provës në favor të shtetit.

Ndërkohë, ministrja ka njoftuar edhe lirimin e një pjese të rezervave strategjike dhe ndalimin e rritjes së çmimeve nga pikat e karburantit më shumë se një herë në ditë.

Ajo përjashtoi për momentin uljen e taksave mbi energjinë dhe karbonin, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së financave publike, por la të hapur mundësinë që të ardhurat shtesë nga TVSH-ja t’u kthehen qytetarëve.

Megjithëse aktualisht nuk ka mungesë furnizimi me naftë, gaz apo benzinë, qeveria po shqyrton krijimin e një rezerve strategjike gazi, të ndarë nga tregu, për situata emergjente, e cila mund të jetë funksionale që dimrin e ardhshëm.



Lexoni të gjitha në Bota Sot