Tusk: Polonia nuk do të dërgojë trupa në Iran

- Bota Sot

Tusk: Polonia nuk do të dërgojë trupa në Iran

Polonia nuk ka plane për të dërguar trupa në Iran, deklaroi sot kryeministri Donald Tusk, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u bëri thirrje aleatëve që të dërgojnë anije në Ngushticën e Hormuzit për të mbrojtur anijet tregtare.

Tusk tha se vendimi i Varshavës “vlen për forcat tona tokësore, ajrore dhe gjithashtu ato detare”.

“Lufta në Lindjen e Mesme nuk ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e Polonisë”, u shpreh ai.

“Aleatët tanë, përfshirë amerikanët, e kuptojnë këtë”, shtoi Tusk.

Polonia, anëtare e NATO-s, është një nga aleatet kryesore politike dhe ushtarake të Ukrainës në përballjen e saj me ofensivën ruse dhe e konsideron veten të kërcënuar nga Moska, çka ka nxitur një rritje të ndjeshme të shpenzimeve dhe forcimit ushtarak në vitet e fundit.

Edhe ministri i Jashtëm, Radosław Sikorski hodhi poshtë dje thirrjen e Trump për vendet e NATO-s që të dislokojnë anije luftarake për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një rrugë jetike për transportin e naftës, e cila është mbyllur praktikisht që nga nisja e fushatës ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit më 28 shkurt.



Lexoni të gjitha në Bota Sot