Një aksident i rëndë ndodhi ditën e sotme në qendrën turistike të skive Engelberg në Zvicër ku një teleferik u rrëzua, duke lënë të vdekur një person.
Sipas informacioneve paraprake, kabina e linjës Trübsee–Stand Xpress u shkëput pak pas stacionit të mesëm dhe filloi të rrokullisej në një shpat me dëborë, duke u përmbysur disa herë.
Dëshmitarët raportojnë se në momentin e aksidentit erërat ishin shumë të forta.
“Në një moment u dëgjua një këputje, kabulli u zhvendos dhe kabina ra”, tregoi një dëshmitar. Në zonë janë regjistruar erëra deri në 130 km/orë, ndërsa MeteoSwiss kishte lëshuar më herët një paralajmërim për rrezik të moderuar nga era.
Ekipet e shpëtimit ndërhynë menjëherë në vendngjarje dhe sipas raportimeve, ata u përpoqën për rreth 30 minuta të mbanin gjallë të plagosurin, por pa sukses. Policia konfirmoi se aksidenti ka shkaktuar një viktimë, ndërsa identiteti i saj nuk është bërë ende i ditur.
Kompania që operon teleferikët konfirmoi incidentin, por nuk dha detaje mbi numrin e pasagjerëve në kabinë. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e sakta të aksidentit dhe për të kuptuar pse teleferiku ishte në funksion pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.
Pas ngjarjes, pothuajse të gjithë ashensorët në zonën e skive Titlis janë pezulluar. Teleferiku Titlis Xpress, i përuruar në vitin 2015 dhe me kapacitet prej tetë pasagjerësh, aktualisht është i mbyllur për shkak të erërave të forta.
Qendra e skive Titlis, më e madhja në Zvicrën Qendrore, ofron rreth 82 kilometra pista dhe arrin deri në një lartësi prej rreth 2,400 metrash.