22 vjet nga tragjedia në Ibër, familjarët kërkojnë ende drejtësi për tre fëmijët e mbytur

- Bota Sot

22 vjet nga tragjedia në Ibër, familjarët kërkojnë ende drejtësi për tre fëmijët e mbytur

Një ngjarje tronditëse do të shënohet përgjithmonë në një fshat të vogël: Çabër.

Më 16 mars 2004, tre fëmijë humbën jetën në lumin Ibër, në rrethana që edhe sot mbeten të dhimbshme dhe të paqarta për familjarët e tyre. Ajo që për ta kishte nisur si një ditë e zakonshme loje, përfundoi në tragjedi.

Rrëfimet e atyre që i njohën, i rritën dhe i përcollën për herë të fundit janë të mbushura me mall dhe dhimbje.

Drejtori i shkollës fillore, “Osman Rama”, në fshatin Çabër, Enver Hasani, i kujton ata me fjalë që përshkruajnë jo vetëm karakterin e tyre, por edhe vendin që kishin në fshat.

“Po, kanë qenë të hareshëm, kanë qenë të tre të hareshëm, sidomos Egzoni që ka qenë pak më jo që ka qenë më i veçantë prej tyre, por në fshat ka qenë pak më i veçantë se është që ka lind pas 7 çikave në familje. Kështu që ka qenë pak më i veçantë tek banorët. Jo që ka pasur diçka tjetër të veçantë prej këtyre, por ka qenë më i veçant për banorët e fshatit Çabër se ka lindur pas 7 vajzave e kështu ka qenë hasret në atë kohë kur ka lindur. Ka qenë i mirëpritur prej banorëve, kështu prej të gjithë banorëve të fshatit”, tha drejtori, Enver Hasani.

Ai përshkruan edhe momentet para tragjedisë, duke treguar rrjedhën e ngjarjes sipas asaj që dihet nga dëshmitë.

“Këta kanë qenë duke luajtur tek xhamia, edhe kur e kanë përfunduar lojën, kanë thënë po dalim në ara, i kanë disa ara në Zubç atje në fshatin e serbëve, janë disa ara të Egzonit, edhe kanë dalë e kanë kaluar urën, edhe kanë kaluar afër Ibrit. Por nuk ka ndodhur ajo vetëm atë ditë, ne jemi dalë rregullisht andej, kanë ecur, janë shëtitur deri në fund të arave atje poshtë janë kthyer, këta janë dalë deri tek arat e veta i kanë andej lumit. Kur janë afruar të shkojnë tek arat atje, tash prej atje do djemë të ri serbë ja kanë lëshuar një qen me i tutë, edhe këta fëmija tash e kanë parë urën larg, tek ura kanë thënë që nuk mundëm të mbërrrijmë, teposhtë me ik qeni ju ka flugur. Zgjidhja e vetme kanë thënë është vetëm ta kalojmë Ibrin, pak ndoshta ja ka marrë mendja që edhe e kalojnë se kanë ditur not, tash ua ka marrë mendja që e kalojnë, mirëpo valët e mëdha, Ibri i madh, uji i ftohtë, se 16 mars edhe i ka marrë uji me vete”, tregoi Hasani.

Për Hasanin, kjo mbetet një plagë e hapur, që rëndon çdo vit mbi shkollën dhe komunitetin.

“Lajmi ka qenë i rëndë edhe për nxënësit, mësimdhënësit, familjarët dhe bashkëfshatarët. Ky ka qenë një rast jashtëzakonisht i rëndë. Ne e dimë se në kohë të luftës janë vrarë njerëzit dhe ato kanë qenë raste të rënda, por e ke ditur që je duke luftuar dhe e ke pritur vdekjen për çdo ditë. Ndërsa kjo, pesë vjet pas përfundimit të luftës, me t’u mbytur fëmija në liri, kjo është diçka tepër e rëndë”, tha ai.

Ai përfundoi se drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigje për këtë rast.

“Jo, organet e drejtësisë nuk besoj që e kanë kryer punën e vet, derisa nuk është arrestuar askush për vrasjen ose mbytjen e tre fëmijëve në lumin Ibër. Kështu që drejtësia nuk e ka dhënë fjalën e fundit. Ishalla vjen ajo ditë që del dikush para gjykatës dhe e merr ndëshkimin që duhet ta marrë. Edhe pse të nesërmen mund ta marrë dënimin që e meriton, ata nuk e marrin atë që na kanë marrë neve – fëmijët. Ata na i kanë mbytur fëmijët në ujë. Gjykata edhe me ja dhënë ndëshkimin, i jep burg, ai nesër hyn në burg dhe një ditë del prej burgut, ndërsa këta nuk dalin më prej dheut. Këta kanë shkuar një herë e përgjithmonë. Por të paktën, që të qetësohen sadopak zemrat e bashkëfshatarëve, sidomos të familjarëve të tyre, dikush duhet të marrë ndëshkimin. Unë po flas për vete, si drejtor shkolle: për 185 ditët e punës që i kemi në shkollë, dita më e rëndë për mua është 16 marsi”, përfundoi Hasani.

Ngjarja e 16 marsit vazhdon të jetojë me të njëjtën peshë dhimbjeje për familjarët e viktimave. Prindi i Egzon Deliut, Zaim Deliu, në një rrëfim për KosovaPress, e përshkruan atë ditë si tragjedinë më të madhe të jetës së tij, duke rikthyer me detaje momentet e fundit dhe pasojat që lanë pas.

“Ka ndodhur siç e dinë, për mua është tragjedia më e madhe në jetë që më ka ndodhur edhe për ata dy prindër tjerë. Fëmijët kanë dalë matanë lumit Ibër, andej kemi disa toka. I ka thënë një shok: ‘Hajde shkojmë t’i shohim a me i nxënë do shota puna e tyre’. Edhe atje, dmth, ju kanë vërsulur serbët, i kanë bllokuar nga të gjitha anët edhe me qen, edhe u desh të hyjnë në lumin Ibër, ku lumi ka qenë jashtë shtrati, ka qenë shumë i madh. Edhe aty, kur i bien lumit, tre fëmijë vdesin dhe një fatbardhësisht shpëton, Fitim Veseli shpëton. Edhe ai mezi shkon deri tek disa kushërinj që janë afër dhe mezi ia kanë kthyer shpirtin me ujë të nxehtë e me mjete tjera. Edhe ai e ka treguar rastin dhe menjëherë është përhapur”, tha ai.

Ai kujton djalin si një fëmijë të rrallë për moshën që kishte.

“Ai ka qenë një fëmijë shumë inteligjent, shumë punëtor, ka qenë i zhvilluar. Dmth 13 vjeçar e gjysmë, por atij ia kisha dhënë 20 vjet, kisha thënë i ka 20 e jo 13. Ka qenë i interesuar për jetën, e ka vozitur traktorin, makinën si 13 vjeçar e gjysmë, ka pasur merak në shpezë. Gjithçka që ka qenë në katund, ai ka qenë shumë punëtor, por paska qenë për atë botë”, tha Deliu

Me emocione të forta, ai tregon edhe një ëndërr që kishte parë pak para ngjarjes dhe mënyrën si është përballur me humbjen.

“Po shikoni, siç e dini, unë atë e kam pasur pas 7 vajzave. Një javë përpara e pashë një ëndërr që ma mbytnin serbët dhe gati u tranova kur u zgjova. Kur e pashë duke fjetur, u qetësova. Mirëpo, Zoti të përgatit që të mos tranohesh, mos të luash mendsh, të jep sabrin. Edhe ju kam lutur gruas, i kam thënë me më ndihmu që me ia nis jetës për hir të këtyre fëmijëve të tjerë. Edhe ia kam nisur jetës, por mungesa e tij është gjithmonë prezente. Brenda këtyre 22 viteve gjithmonë e kujtoj, por plagën që e kam marrë në zemër jam munduar mos me lanë të zgjerohet. Ajo plagë nuk shlyhet deri sa të vdes”, tregoi Deliu.

Sipas tij, drejtësia nuk është vendosur asnjëherë për këtë rast.

Deliu: Kam pasur biseda me ta, me sigurimin e tri shteteve më të fuqishme, edhe ata nuk kanë dashur ta zbulojnë rastin se si kanë ndodhur ngjarjet

“Absolutisht nuk e ka bërë punën e saj. Në atë kohë kanë qenë ndërkombëtarët, kam pasur biseda me ta, me sigurimin e tri shteteve më të fuqishme, edhe ata nuk kanë dashur të zbulojnë rastin se si kanë ndodhur ngjarjet. UNMIK-u, kanë qenë shumë shtete të përfshira. Si ndodhën trazirat pati edhe viktima më pas dhe kanë dashur me lënë fajin më tepër tek ne se tek ata që e bënë. Nuk kanë dashur ta zbulojnë. Madje më thoshin mua: ‘Si po e përshkruan ti rastin, si po e përshkruan Fitimi që është i mbijetuari?’ Thashë: në atë fshat ka fëmijë prej të porsalindur e deri në pleq 70-80 vjet. Me pas qenë rasti në të kundërtën, e kishin zbuluar, por pasi është rasti ynë nuk po e zbuloni. Ua kam thënë qartë, se e dija që nuk po duan ta zbulojnë”, tha Zaim Deliu

Megjithatë, ai shpreh mirënjohje për përkrahjen që kanë marrë nga qytetarët dhe institucionet e kohës.

“Ndihmë në të gjitha aspektet më kanë dhënë, popullata, njerëzit, edhe TMK-ja në atë kohë. Nonstop në ujë të ftohtë i kanë kërkuar. E falënderoj popullin që na ka përkrahur. Mirëpo kur ndodhën ato trazira, ndodhën edhe viktima dhe u ndieva shumë i prekur. Edhe ata njerëz kanë pasur nëna, kanë pasur prindër, edhe ata janë fëmija e dikujt. Kur e bëmë apelin në atë kohë përmes RTK-së, erdhën në shkollën “Osman Rama”, bëra apel në popullatë dhe më respektuan, u ndalën demonstratat. Për vete e kam ndier sikur mu ngjall djali kur e pashë që u stabilizua situata, sepse kemi qenë në rrezik se dihet kë e kemi kojshi, kanë këqyrë t‘i shfrytëzojnë ato raste. Fatmirësisht u ndalën”, tha ai.

Ai tregon edhe momentet e gjetjes së trupave të fëmijëve.

“Djali im është gjetur në mbrëmje atë ditë, djali i Sheremetit, Avniu, është gjetur të nesërmen, kurse Florenti pas një kohe më të gjatë, nuk jam i sigurt sa, por rreth 2-3 javë. E kanë kërkuar të gjithë dhe më vonë e kanë gjetur”, tregoi Deliu.

Ndërsa momenti i fundit me të birin mbetet kujtimi më i rëndë.

“Në shtëpi kam qenë duke i rregulluar, i pata marrë dy Volvo dhe kam merak në Volvo si kerre. Edhe aty isha duke i ndrequr. Ai me Avniun erdhën, hëngrën bukë këtu dhe u nisën. Edhe unë jam çu, desha t’I them kthehu se gati është makina, se kishte marak me vozit. Edhe jam çu, e kam shiku për herën e fundit, nuk kam mund me fol hiç. Ai ka qenë momenti i fundit që e kam parë gjallë dhe pastaj vetëm kur erdhi lajmi që ka vdekur”, tregoi Zaim Deliu.

Edhe pas më shumë se dy dekadash, 16 marsi mbetet një datë që rikthen dhimbjen e njëjtë në Çabër. Kujtimet për tre fëmijët që humbën jetën në lumin Ibër vazhdojnë të jetojnë në rrëfimet e familjarëve, mësimdhënësve dhe bashkëfshatarëve. Mes dhimbjes dhe mungesës së përgjigjeve, mbetet një kërkesë e pandryshuar: që e vërteta të zbardhet dhe drejtësia të vihet në vend, të paktën për të sjellë një grimë qetësie në zemrat e atyre që jetojnë çdo ditë me humbjen.



Lexoni të gjitha në Bota Sot