Gjyqtarët dënojnë gjuhën e Batatinës ndaj Berishës

- Bota Sot

Gjyqtarët dënojnë gjuhën e Batatinës ndaj Berishës

Komisioni i Gjyqtarëve ka reaguar ndaj komunikimit të trajnerit të KF Llapit, Tahir Batatina, me gjyqtarin anësor Fatlum Berisha, duke e cilësuar atë si të papranueshëm dhe jashtë çdo norme etike e profesionale.

Komisioni shprehet se “gjuha e përdorur në këtë rast është e papranueshme dhe tejkalon normat etike, profesionale dhe njerëzore”, duke theksuar se shqetësues mbetet veçanërisht përfshirja e çështjeve personale dhe familjare në komunikim.

Sipas tyre, këto referenca “tejkalojnë çdo kufi të komunikimit”.

Komisioni i Gjyqtarëve i ka dhënë mbështetje të plotë gjyqtarit Fatlum Berisha, duke vlerësuar “profesionalizmin, integritetin dhe përkushtimin e tij në ushtrimin e detyrës”.

Po ashtu, është theksuar se çdo përpjekje për të cenuar dinjitetin e gjyqtarëve apo për t’i vënë ata nën presion përmes gjuhës së papërshtatshme është e papranueshme dhe nuk duhet të tolerohet.

Në reagim dënohen fuqishëm të gjitha format e presionit, ofendimit apo kërcënimit ndaj gjyqtarëve.

“Integriteti i gjyqtarëve është themel i funksionimit të drejtë të garave dhe, si i tillë, duhet të mbrohet pa kompromis”, thuhet më tej në reagim.

Komisioni i Gjyqtarëve u ka bërë thirrje të gjithë akterëve të futbollit që të ruajnë respektin dhe profesionalizmin, duke shtuar se do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të gjyqtarëve dhe në funksion të forcimit të integritetit të garave.



Lexoni të gjitha në Bota Sot