Orban bllokon Ukrainën, Hungaria vendos veto për ndihmat/ BE thirrje për uljen e tensioneve

- Bota Sot

Orban bllokon Ukrainën, Hungaria vendos veto për ndihmat/ BE thirrje për uljen e tensioneve

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka penguar miratimin e paketës së ndihmave për Ukrainën në samitin e krerëve të Bashkimit Europian, duke bërë që deklarata e përbashkët e takimit të mbajtur në Bruksel, të mos nënshkruhet.

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe udhëheqës të tjerë nuk arritën ta bindin Orbanin të heqë veton mbi ndihmat financiare miliardëshe për vendin e përballur me agresionin rus.

Bisedimet përfunduan në orët e vona të mbrëmjes, pa arritur gjetjen e një zgjidhjeje të ngërçit. Orban, i cili po lufton për një mandate tjetër qeverisës në Hungari, këmbëngul se do ta tërheqë veton vetëm kur vendi i tij të marrë sërish furnizime me naftë ruse përmes tubacionit “Druzhba”.

Ai argumenton se pa këtë naftë, ekonomitë familjare dhe ndërmarrjet hungareze do të përballeshin me një kolaps.

“Pozicioni i Hungarisë është shumë i thjeshtë. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim Ukrainën kur të marrim naftën tone. Dhe nafta jonë, është bllokuar pikërisht nga ata”, thotë Orban.

Diplomatët e kanë kritikuar Orbanin pas dyerve të mbyllura, duke vënë në dukje se ai kishte miratuar tashmë planin e ndihmave për Ukrainën deri në 90 miliardë euro në samitin e dhjetorit 2025. Merz publikisht theksoi se parimi i punës në BE është besnikëria dhe besueshmëria, që duhet të respektohet nga të gjitha shtetet anëtare.

Ndërkohë, sulmet ndaj impianteve të gazit në Iran dhe Katar kanë nxitur frikën për një përshkallëzim të situatës në Lindjen e Mesme. Krerët e BE-së ranë dakord të kërkojnë ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe ujore dhe bënë thirrje për uljen e tensioneve, mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e plotë të së drejtës ndërkombëtare.

Thirrjet e tyre erdhën pak pasi Izraeli sulmoi fushën e gazit “South Pars”, duke tentuar kështu të ushtrojë për presion ndaj Iranit për të hapur rrugën detare të Hormuzit, ndërsa regjimi i ajatollahëve sulmoi impiante të gazit të lëngshëm në Katar, një prej prodhuesve më të mëdhenj të LNG-së në botë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot