Një 37-vjeçar shqiptar me banim në Milano të Italisë është arrestuar, pasi ishte shpallur në kërkim i akuzuar si autor i një tentative vjedhjeje.
Sipas mediave italiane, vjeshtën e kaluar, së bashku me një bashkëpunëtor tjetër, shqiptari u përpoq të grabiste shtëpinë e një 85-vjeçari.
Po ashtu, ai dhunoi dy karabinierë që tentuan ta ndalonin teksa ishin jashtë detyrës.
Atë mbrëmje, dy karabinierët ishin jashtë detyrës dhe duke kaluar një mbrëmje me familjet e tyre, vunë re dy individë që po hynin me forcë në hyrjen e shtëpisë së një të moshuari.
Ata ndërhynë për t’i ndaluar dhe gjatë përleshjes, arritën të ndalonin një nga shqiptarët.
Ndërkohë, 37-vjeçari arriti t’ia mbathte dhe të qëndronte i arratisur për plot 6 muaj.
Falë pamjeve të kamerave të mbikëqyrjes, pas hetimeve të imtësishme, Karabinierët e gjurmuan dhe 37-vjeçari u arrestua në banesën e tij.
Në shtëpi u gjetën bizhuteri ari dhe një armë zjarri me taser e mbajtur ilegalisht, sende për të cilat ai u raportua edhe në Prokurorinë Publike të Milanos.