Paulo Dybala dhe Boka Zhuniors duket se janë gjithnjë e më pranë një bashkimi që mund të realizohet shumë shpejt.
Në Argjentinë, ditët e fundit është rritur ndjeshëm entuziazmi dhe bindja se transferimi mund të ndodhë brenda pak muajsh.
Madje, e përditshmja sportive “Olé” ka dalë me titullin “Joya Libertadores”, duke iu referuar ëndrrës së madhe të tifozëve të Bokas për të fituar trofeun e shtatë kontinental.
Presidenti Huan Roman Rikuelme po punon për ta sjellë sulmuesin e Romës në Buenos Aires, ndërsa vetë lojtari duket i prirur ta pranojë rikthimin në atdhe, kryesisht për arsye familjare.
Pak ditë më parë, Dibala u bë baba për herë të parë me lindjen e vajzës Gia, ndërsa bashkëshortja e tij, Oriana Sabatini, ashtu si edhe nëna e tij, dëshiron të rikthehet në Argjentinë për të jetuar atje.
Situatën e ka ndezur edhe më shumë një vendim i fundit i Orianës. Ajo ka pranuar të marrë pjesë në një projekt televiziv në Argjentinë, një adaptim i formatit amerikan “True Crime”, që do të trajtojë ngjarje të njohura kriminale nga historia e vendit dhe do të transmetohet në kanalin Olga.
Ende nuk dihet nëse ky projekt kërkon një angazhim të gjatë në vend, por për shumëkënd kjo lëvizje nuk duket rastësi dhe lidhet drejtpërdrejt me një rikthim të mundshëm të Dibalas te Boka Zhuniors.