Në një lidhje direkte për “Sport Focus”, i ftuar ishte ish-trajneri Ylli Shameti, i cili analizoi përballjen mes Shqipëria dhe Polonia, si dhe formën e disa lojtarëve të Kombëtares.
Sipas tij, një nga emrat më në formë është Ernest Muçi, që po paraqitet mirë në kampionatin turk dhe mbetet një element i rëndësishëm për ekipin.
“Muçi po kalon një formë shumë të mirë, ka talent dhe po e tregon këtë edhe tani. Është një lojtar që mund të ndihmojë shumë Kombëtaren në këtë moment”, u shpreh Shameti.
Ai shtoi se edhe lojtarë të tjerë si Lirim Mehmeti janë në formë të mirë dhe mund të japin kontribut, sidomos në mungesa të mundshme në ekip.
Në lidhje me ndeshjen, Shameti mendon se presioni më i madh bie mbi Poloninë, për shkak të objektivave dhe cilësisë së lojtarëve që ka në përbërje.
“Në letër, Polonia e ka më të madh detyrimin për të fituar. Ka lojtarë shumë të fortë dhe kjo e shton presionin mbi ta, ndërsa ne mund të luajmë më të qetë”, tha ai.
Skuadra polake vjen me emra të rëndësishëm si Robert Lewandowski dhe Piotr Zieliński, të cilët janë në formë të mirë, çka rrit pritshmëritë për rezultatin.