Trajneri i Kombëtares shqiptare, braziliani Sylvinho gjatë konferencës së mbajtur për mediat lidhur me listën e të grumbulluarve, u pyet dhe për kundërshtarin më të vështirë me të cilin është përballur, ku gazetari e vuri mes dy emrave si Polonia dhe Serbia.
Sipas teknikut, edhe pse ekziston një ngjashmëri gati e njëjtë mes të dyja skuadrave kombëtare, ai zgjodhi kundërshtarin e tij të radhës në fazën play-off, Poloninë, si ekipi që e ka vënë më shumë në vështirësi në dy përballjet që ka luajtur me ta, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
"Të kthehesh te një ekip që kemi luajtur dy herë, brenda dhe jashtë, unë preferoj të flas për Poloninë, që është kundërshtari i radhës.
Është diçka e ngjashme mes tyre, që mbrohen mirë dhe shfrytëzojnë hapësirat. Polonia është përmirësuar shumë si skuadër me trajnerin Urban.
Ka bërë shumë mirë në kualifikueset e fundit, mbrohet mirë, është agresive dhe shfrytëzon shumë hapësirat me shpejtësi dhe cilësi.
Futbollistët shënojnë, kanë 3-4 lojtarë që mbërrijnë në zonë e finalizojnë, janë fizikisht të fortë, agresivë dhe shfrytëzojnë hapësirat. Kanë diçka të ngjashme me Serbinë, por në përgjithësi janë të ndryshme. Poloninë e ka përmirësuar shumë trajneri Urban", është shprehur Sylvinho.