Patushi “ndez” kuqezinjtë: Shqipëria dhe Polonia janë në të njëjtën pjatë

- Bota Sot

Patushi “ndez” kuqezinjtë: Shqipëria dhe Polonia janë në të njëjtën pjatë

Në prag të sfidës së radhës për Kombëtaren Shqiptare, debati përqendrohet te forca e kundërshtarit, me Poloninë që shihet si një pengesë e vështirë.

Megjithatë, sipas ish-futbollistit Saimir Patushi, fokusi duhet të jetë krejtësisht tjetërkund.

Për “Ora News”, Patushi argumenton se suksesi nuk varet nga emri i ekipit përballë, por nga aftësia e kuqezinjve për të shfrytëzuar potencialin e tyre maksimal.

Sipas tij, çelësi i fitores qëndron te grupi aktual i lojtarëve që ka në dispozicion trajneri.

“Nuk duhet llogaritur kundërshtari. Kundërshtari sado i fortë mund të jetë në letër, unë do marr aktorët dhe lojtarët që kam në përbërje dhe tu marr maksimumin atyre,” theksoi ai.

Pavarësisht disa shqetësimeve, si dëmtimi i kapitenit apo mungesa e minutazhit për disa lojtarë, analisti beson se pjesa më e madhe e ekipit është në formë optimale dhe gati për ndeshjen.

Ai shtoi se lojtarët shqiptarë nuk duhet të ndihen inferiorë ndaj Polonisë, Ukrainës apo Suedisë, pasi në letër i konsideron si të barabartë.

Duke analizuar krahasimin direkt me Poloninë, e cila konsiderohet se e ka kaluar krizën e saj të fundit, Patushi pranon se ekipet ndryshojnë nga njëri sezon në tjetrin.

Polonia mund të paraqitet më e fortë për sa i përket elementëve cilësorë, por kjo nuk e ndryshon thelbin e çështjes.

Sipas tij, përveç një lojtari të kalibrit të Levandovskit te Barcelona, pjesa tjetër e ekipeve është e krahasueshme, pasi edhe lojtarët kuqezi aktivizohen në klube të mëdha evropiane si Inter, Napoli apo Atalanta.

“Unë besoj që të gjithë ekipet dhe lojtarët që përbëjnë si Poloninë, ashtu edhe Shqipërinë, janë në të njëjtën pjatë,” ishte metafora e përdorur prej tij për të treguar nivelin e ngjashëm.

Lidhur me skemën taktike që pritet të përdorë trajneri Sylvinho, analisti shprehet se tekniku brazilian ka një ide të qartë dhe fikse, pavarësisht opinioneve të jashtme.

Plani i tij është i studiuar në detaje dhe përshtatur kundërshtarit. Në fund, mesazhi i tij është i qartë dhe i prerë: fitorja kërkon kurajë.

“Në qoftë se do të fitosh, duhet të guxosh,” përfundoi ai, duke bërë thirrje për një qasje të guximshme nga ana e Kombëtares.



Lexoni të gjitha në Bota Sot