Një muaj paraburgim Liridon Fetahit, dyshohet për vrasje, kërkohej nga autoritetet ndërkombëtare

- Bota Sot

Një muaj paraburgim Liridon Fetahit, dyshohet për vrasje, kërkohej nga autoritetet ndërkombëtare

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj Liridon Fetahit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes.

Në njoftim thuhet se “gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës të Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit L.F., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”.

Fetahi i kërkuar nga autoritetet ndërkombëtare për veprën penale të vrasjes është arrestuar të hënën në Prishtinë, pas një operacioni të zhvilluar nga Policia e Kosovës.

Fetahi me shtetësi daneze, sipas Kodit Penal Danez dyshohet për vrasje.

Në njoftimin e gjykatës u tha se pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, për të siguruar zhvillimin e papenguar të procedurës penale.

“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, përfundon njoftimi.



Lexoni të gjitha në Bota Sot