Mesazhe të forta nga kapiteni te Gjermania

- Bota Sot

Mesazhe të forta nga kapiteni te Gjermania

Për të nisur vitin e Kupës së Botës, kapiteni ishte i pari që foli.

Kombëtarja është grumbulluar në Herzogenaurash për kampin stërvitor të marsit që nga e hëna, dhe të martën Xhoshua Kimish u ul në podiumin e konferencës për shtyp në qendrën stërvitore dhe dërgoi mesazhe të qarta, si brenda ekipit, ashtu edhe jashtë tij.

“Kemi dy ndeshje të rëndësishme përpara,” tha ai, duke iu referuar ndeshjeve kundër Zvicrës dhe Ganës, “janë dy ndeshje në të cilat duam të afrohemi edhe më shumë si ekip.

Pres nga të gjithë të japin maksimumin, në mënyrë që të jemi aty kur të ketë më shumë rëndësi.” Kimish shpreh hapur keqardhjen që edhe Feliks Nmeça dhe Aleksandar Pavloviç u detyruan të tërhiqen për shkak dëmtimesh, sepse: “Këto ndeshje janë shumë të rëndësishme për zhvillimin tonë.” 31 vjeçari nuk u bën thirrje vetëm shokëve të skuadrës që rezultatet duhet të jenë të mira, por është veçanërisht i shqetësuar edhe për paraqitjet: “Pritshmëria ime është që të gjithë të japin maksimumin.”

Kimish e përmend ndeshjen e fundit, fitoren 6-0 kundër Sllovakisë në Lajpcig në nëntor, që mbylli me sukses kualifikueset për Kupën e Botës, si pikë reference.

“Të gjithë në stol, por edhe në dhomat e zhveshjes, e ndjenë që qasja ishte ndryshe nga më parë. Ndeshja kundër Sllovakisë duhet të jetë baza jonë. Ne nuk jemi ndër favoritët kryesor për Kupën e Botës. Nuk kemi dhënë rezultate në dy Kupat e fundit të Botës.” Receta e tij për të kaluar fazën e grupeve këtë verë është uniteti i ekipit, bazat e të cilit duhet të vendosen në këtë kamp stërvitor, i fundit para shpalljes së listës përfundimtare.

“Të kesh skuadrën më të mirë në botë nuk garanton fitimin e titujve,” thotë kapiteni, duke përdorur historinë e ekipit të tij si provë. “Në vitin 2018 kishim një nga skuadrat më të mira në botë dhe të gjithë e dimë si përfundoi.” Në shtëpi.

Pas fazës së grupeve. Ai shton: “Çelësi është të kesh ekipin më të mirë në botë. Dhe për të qenë ekipi më i mirë në botë, të gjithë duhet të kontribuojnë.”

Për Kimish nuk ka asnjë dyshim që Antonio Rudiger duhet të jetë pjesë e skuadrës. “Ne në Gjermani ndonjëherë harrojmë çfarë ka bërë Toni në nivelin më të lartë me Real Madridin vitet e fundit. Nuk kemi shumë lojtarë si ai në skuadër.” Kimish është i bindur: “Ai është një lojtar tek i cili mund të mbështetemi gjithmonë. Dhe e ka provuar vazhdimisht se mund të luaj në nivelin më të lartë.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot