Rodri nuk ia mbyll derën Real Madridit

- Bota Sot

Rodri nuk ia mbyll derën Real Madridit

Rodri, mesfushor i Manchester City-t dhe fitues i Topit të Artë 2024, ka pranuar se një transferim te Real Madridi është një mundësi që nuk e përjashton, pavarësisht se ka një të kaluar te rivalët e qytetit, Atlético Madrid.

“Fakti që kam luajtur tek Atlético Madridi nuk më ndalon të luaj te Real Madridi, ka pasur lojtarë të tjerë që e kanë bërë këtë rrugë. Jo direkt, por me kohën e duhur. Nuk mund të refuzosh klubet më të mira në botë,” deklaroi mesfushori spanjoll 29-vjeçar për radio ‘Onda Cero’.

Rodri, i cili ka qenë shpesh i lidhur me klubin ‘merengues’, konfirmoi edhe një herë idenë që kishte shprehur në 2024 për Cadena SER: “Kur të thërret Real Madridi, është një nder dhe gjithmonë duhet t’i kushtosh vëmendje.”

Aktualisht me kontratë deri në vitin 2027 te Manchester City, Rodri pranon se e ardhmja e tij mbetet e hapur. “Më mbetet edhe një vit kontratë dhe do të vijë momenti kur do të ulem për të biseduar,” shpjegoi ai, duke shtuar edhe dëshirën për t’u rikthyer në Spanjë: “Do të doja të kthehesha, sigurisht.”

I pyetur për interesimin e presidentit dhe drejtorit të përgjithshëm të Real Madridit, mesfushori u shpreh i rezervuar: “Nuk e di… ata nuk flasin me mua, flasin me agjentin tim.”

Rodri kujtoi gjithashtu karrierën e tij, përfshirë kalimin nga Atlético te Villarreali. “Isha unë që vendosa të largohesha nga Atlético për te Villarreali… kishte një çështje fizike, sepse në moshën 16-vjeçare ende nuk kisha bërë ‘shtysën’ e rritjes, që ndodhi kur mbërrita te Villarreali,” tregoi ai. Megjithatë, ai lavdëroi kohën e kaluar nën drejtimin e Diego Simeones: “Simeone dinte të kuptonte se çfarë më mungonte, më shtyu në aspektin konkurrues, taktik dhe të agresivitetit… mësova shumë prej tij.”

Lojtar “atipik” dhe fitues i Topit të Artë

Rodri, i cili e përshkruan veten si një “futbollist atipik” për shkak se nuk ka rrjete sociale dhe tatuazhe, foli edhe për fitimin e Këpucës së Artë, duke mohuar çdo rivalitet me Vinícius-in.

“Mendoj se u përpoqën të krijonin një përballje mes meje dhe Vinícius, por asgjë e tillë… kam respekt të madh për të. Në fund, janë njerëz të tjerë që vendosin kush e fiton Topin e Artë.”

Aktualisht, mesfushori po rigjen formën pas një periudhe pushimi që e konsideroi shumë të dobishme: “Më shërbeu për të pushuar, për të ulur ritmet. Kishte një lodhje mendore. Më lejoi të rifitoja energjinë dhe të kthehesha me një dëshirë të madhe,” tha ai, duke shtuar: “Ndihem se po kthehem ai Rodri që duam të shohim.”



Lexoni të gjitha në Bota Sot