Prizren: Gjendet i vde*kur një person i moshuar, policia kërkon ndihmë për identifikimin e tij

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Gjendet i vde*kur një person i moshuar, policia kërkon ndihmë për identifikimin e tij

Policia e Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi të moshuar, rreth 70 vjeçar, i cili është gjetur pa shenja jete në rrugën ‘Edit Durham’ në Prizren.

Me datë 26.03.2026, rreth orës 11:36, Policia ka pranuar një informatë për një rast ku një person është gjetur pa shenja jete në rrugën “Edit Durham” në Prizren, sipas ekipit të Urgjencës, përcjell Gazeta e Prizrenit.

Patrulla policore, së bashku me ekipin kujdestar të hetuesisë dhe ekipin e krim-teknikës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili gjendet tek banesat e ishTMK.

Sipas informatave fillestare viktima është mashkull i moshuar, rreth 70 vjeçar, ende i paidentifikuar. Ekipi i Urgjencës ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë të paktën 2–3 orë para mbërritjes së mjekëve. Nuk janë vërejtur shenja të një vdekje të dhunshme.

Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe ekipi i hetimeve rajonale, të cilët pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit kanë iniciuar rastin si “Hetim i vdekjes”. Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për ekzaminime të mëtejshme.

Duke marrë parasysh se viktima është gjetur në rrugë dhe deri më tani nuk është identifikuar, Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët që nëse posedojnë ndonjë informacion për identitetin e viktimës, të lajmërohen në stacionin më të afërt policor ose përmes numrit të kontaktit 192.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit