Komuna e Prishtinës ka njoftuar se duke filluar nga ora 10:00, ekipet e kryeqytetit do të ndërmarrin aksionin për heqjen e tabelës së ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998–1999” në sheshin “Nënë Tereza”.
Ky veprim vjen pas vendimit të kryetarit të Prishtinës,. Përparim Rama, për pezullimin e lejes së ekspozimit, për shkak të pasaktësive të evidentuara në përmbajtjen e ekspozitës.
Ekspozita e hapur më 24 mars në sheshet e Prishtinës, në përkujtim të masakrave të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë luftës, ka goxha pasaktësi.
Fillimisht u konstatua se të dhënat për masakrën e Burgut të Dubravës kanë gabime, duke u saktësuar se “Prej të vrarëve, 48 figurojnë persona të armatosur shqiptarë…”, mospërputhje me realitetin janë gjetur edhe në së paku dy raste tjera.
Për Masakrën e Mejës, ku sipas të dhënave zyrtare janë ekzekutuar 376 civilë shqiptarë më 27 prill të vitit 1999, në të dhënat e ekspozitës jepen shifra tjera.
Aty thuhet se në këtë masakër janë vrarë 349 civilë shqiptarë.
Rrjedhimisht, 27 jetë të humbura në këtë masakër të tmerrshme janë fshirë nga lista.