Rrëfimi i ish-futbollistit kuqezi

- Bota Sot

Rrëfimi i ish-futbollistit kuqezi

Ish-futbollisti i Milanit, Aleksandre Pato, ka rrëfyer karrierën e tij në një intervistë të gjatë për “The Athletic”, duke folur për Karlo Ançelotin, periudhën te Milani dhe dëmtimet që ndikuan në rrugëtimin e tij.“

Në dhomat e zhveshjes, në të djathtën time ishte Paolo Maldini.

Përballë shihja Kaka dhe Ronaldo Nazario. Ishte një skuadër legjendash. Ançeloti u tha të gjithëve të ngriheshin në këmbë kur hyra.

Çdo lojtar erdhi të më përshëndeste. Mendova: ‘Uau, ky është respekt’. Mund të jesh lojtari më i mirë në botë, por duhet të mbetesh i përulur dhe të respektosh të tjerët”, kujton Pato për fillimet e tij në vitin 2007.

Duke folur për ambientin kuqezi, braziliani theksoi: “Te Milani nuk bëhej fjalë vetëm për futboll, ishte një familje. Kjo është arsyeja pse ajo skuadër fitoi gjithçka. Nëse shikoje si stërviteshin, thoshe: ‘Duhet të bëj të njëjtën gjë”.

Pato ndaloi edhe te presioni i madh në Brazil: “Kur je fëmijë në Brazil dhe bën diçka të veçantë, të quajnë ‘Pele i ri’ apo ‘Ronaldo i ri’. Kur erdha në Milano, thoshin: ‘Ky është Ronaldo i ri’. Por unë kurrë nuk jam ndjerë si ai. Thjesht stërvitesha sepse e doja futbollin dhe isha mes lojtarëve më të mirë në botë”.

Në fund, ai foli edhe për dëmtimet që shpesh i ndërprenë karrierën:

“Dëmtimet janë një nga pjesët më të vështira të futbollit. Njerëzit shohin vetëm ndeshjen, por jo radhët e gjata të lojtarëve të dëmtuar që rikuperohen. E vetmja gjë që dëshiron është të rikthehesh në fushë. Pas të parit, pastaj të dytit dhe të tretit dëmtim, luaja dy ndeshje dhe lëndohesha sërish”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot