Të gjithë sytë në Turqi janë te ndeshja finale e play-off-it për Kampionatin Botëror 2026 mes Kombëtares së kosovës dhe Turqisë që luhet të martën në orën 20.45.
“Nëse fitojmë, do të kemi nderin të marrim pjesë në Kampionatin Botëror pas 24 vitesh.
Nëse humbasim, do të duhet të presim të paktën edhe katër vite për ta bërë realitet këtë ëndërr të madhe.
Tani, ndërsa të gjithë po mendojnë se çfarë duhet të bëjë kombëtarja jonë, e cila ka një nga gjeneratat më të talentuara në historinë e saj, për të mos e humbur këtë mundësi, ne kërkuam edhe mendimin e njërit prej trajnerëve veteranë të futbollit tonë, Hikmet Karaman.
Duke analizuar në televizion drejtpërdrejt ndeshjen kundër Rumanisë, të cilën e fituam 1:0, trajneri Hikmet vlerësoi si atë ndeshje, ashtu edhe shanset tona kundër Kosovës”, shkruan mediumi turk “Hurriyet”.
Menjëherë pas ndeshjes sonë, ne pamë ndeshjen Sllovaki–Kosovë. Kosova e fitoi ndeshjen 4:3 dhe u bë kundërshtari ynë në finale. Si e vlerësoni Kosovën?, pyet mediumi turk.
“Të dyja palët luajtën një lojë të hapur dhe me ritëm të shpejtë, gjë që solli një ndeshje me shumë gola.
Në atë ndeshje, Kosova na tregoi se kur ka posedimin e topit, bën pasime të mira, lëviz shpejt dhe është efektive në krosime dhe në lojën e tranzicionit.
Prandaj, taktikat për ndeshjen kundër Kosovës nuk do të jenë të njëjta. Trajneri i tyre, Franco Foda, është gjithashtu një trajner jashtëzakonisht i mirë dhe me përvojë”, tha Karaman.
“Në fakt, para kësaj ndeshjeje, duhet të shohim se çfarë bëri Kosova në grupin e saj kualifikues për Kupën e Botës, jo vetëm ndeshjen Sllovaki–Kosovë. Zvicra, Sllovenia dhe Suedia, që ishin në grupin e Kosovës, janë ndër ekipet më të mira sa i përket mbrojtjes zonale, lojës në tranzicion, kundërsulmeve dhe goditjeve standarde.
Dhe Kosova doli nga ai grup.
Kushtoni vëmendje! Ata e mundën Suedinë në të dyja ndeshjet, fituan 2:0 ndaj Sllovenisë në transfertë dhe barazuan me Zvicrën, e cila përfundoi në vendin e parë të grupit.
Prandaj, nuk na pret një ndeshje e lehtë. Ne do të luajmë jashtë fushe, tifozët e Kosovës do t’i japin një mbështetje të jashtëzakonshme kombëtares së tyre dhe njoftimi i Kryeministrit të tyre për shpërblime rekord do të jetë një motivim shtesë për ta. Nuk e di se kur do të shkojë kombëtarja jonë atje, por është e rëndësishme që ata ta përjetojnë atmosferën e stadiumit herët. Sepse kjo është një ndeshje e vetme; fituesi shkon në Kupën e Botës”.
Duhet kujtuar se kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka marrë vendim në rast te kualifikimi kombëtarja do të shpërblehet me 1 milionë euro\.