Juventus po kalon një moment delikat në Serie A, ku është në rrezik serioz për të qenë jashtë Champions League për sezonin e ardhshëm.
Bardhezinjtë aktualisht renditen të pestët dhe do të jenë në garë të fortë bashkë me Como-n dhe Romën, për biletën e fundit nga Serie A, që të kualifikon në Champions League, pra që është vendi i 4-të.
Në anën tjetër, bardhezinjtë po përgatiten për ndryshime të mëdha në ekip gjatë verës së ardhshme. “Corriere dello Sport” ka zbuluar një listë me 7 lojtarë që pritet të largohen nga Juventus në fund të këtij sezoni.
Dy prej tyre do të largohen falas: Dushan Vlahoviq dhe Filip Kostiq.
Dy futbollistëve serbë iu skadon kontrata në qershor të këtij viti. Me Vlahovic ka pasur vazhdimisht diskutime, por sulmuesi serb nuk heq dorë nga pretendimet e tij për rrogën 12 milionë euro në sezon, gjë që nuk pranohet nga drejtuesit bardhezi. Kostic po ashtu do të largohet falas, pasi nuk i është ofruar rinovimi i kontratës.
Tre nga blerjet e verës së kaluar kanë rezultuar dështim dhe do të largohen: Jonathan David, Lois Openda dhe Edon Zhegrova.
Portieri Michele Di Gregorio po ashtu do të largohet, pasi ka humbur vendin e titullarit në javët e fundit dhe nuk ka më besimin e Luciano Spalletti-t dhe drejtuesve të klubit.
Emri i fundit është ai i anësorit portugez Joao Mario, i cili aktualisht është i huazuar te Bologna, por do të rikthehet në fund të sezonit, për t’u shitur në mënyrë përfundimtare këtë herë.