Në prag të finales historike kundër Turqisë, Kombëtarja e Kosovës ka marrë një urim të veçantë nga shqiptari, ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi.
Përmes një mesazhi emocionues, DioGuardi ka kujtuar betejat e gjata për lirinë e Kosovës, duke krahasuar suksesin sportiv të sotëm me qëndresën historike të popullit shqiptar.
"Kam qenë në Uashington me ju duke luftuar për të drejtat e popullit shqiptar.
Do të doja shumë të isha në ndeshje me ju, por të gjithë e dinë se çfarë keni arritur.
Keni bërë diçka që është thuajse e pamundur; keni mposhtur shtete të mëdha", shkroi ai.
DioGuardi, i cili ka qenë arkitekti i mbështetjes amerikane për Kosovën në momentet më të vështira, theksoi se kjo ndeshje do të rrisë reputacionin e shqiptarëve në botë.
Ai evokoi figurën e heroit kombëtar, Skënderbeun, duke dhënë bekimin e tij për fitore ndaj Turqisë.
"Ju keni shpirtin dhe një histori të tërë duke luftuar përballë vështirësive të mëdha.
Mjafton të mendosh çfarë ka arritur Skënderbeu.
Do të doja të isha me ju kundër Turqisë, por mezi pres t’ju takoj në Amerikë kur të ktheheni me fitore", përfundoi mesazhi i tij.
Përballja mes Kosovës dhe Turqisë zhvillohet këtë të enjte nga ora 20:45 në “Fadil Vokrri”..