Duke qenë se kritikat dhe pakënaqësitë për fituesit e fundit të “Topit të Artë” kanë qenë të shumta, FIFA po mendon të ndryshojë disi rregullat.
Sipas udhëzimeve të reja që po diskutohen, nga “Topi i Artë” i këtij viti dhe në vazhdim do të merren për bazë ndeshjet e mëdha për pretendentët për këtë trofe individual.
Me fjalë të tjera, shkëlqimi kundër ekipeve më të mira në botë do të bëhet një domosdoshmëri për këdo që shpreson të pretendojë çmimin individual më të lakmuar të futbollit.
Për vite me radhë, statistikat e përgjithshme kanë luajtur një rol qendror në përcaktimin e “Topit të Artë”, por duke nisur nga ky vit do t’i jepet përparësi perfomancave dhe statistikave në ndeshjet e mëdha dhe në kompeticionet e rëndësishme.