Kombëtarja turke, e cila të martën do të jetë mysafire e Kosovës në finalen e “play-off”-it të Kualifikimeve Evropiane për Kupën e Botës 2026, ka mbyllur përgatitjet për këtë ndeshje, të hënën, shkruan Fotomaç.
Seanca e fundit stërvitore u zhvillua në Kampin dhe Qendrën Stërvitore të Kombëtareve “Hasan Doğan” të Federatës Turke të Futbollit (TFF) në Riva, nën drejtimin e trajnerit Vincenzo Montella. 15 minutat e para të stërvitjes ishin të hapura për media.
Stërvitja, e zhvilluar nën reshje të dendura shiu, nisi me ushtrime nxehjeje dhe vazhdoi me ushtrime pasimesh.
Mësohet se pjesa e mbyllur e stërvitjes ishte e fokusuar në përgatitjet taktike për ndeshjen ndaj Kosovës.
Ndërkohë, lojtari i Kombëtares turke, Merih Demiral, u stërvit veçmas nga ekipi.
Në stërvitje ishin të pranishëm edhe presidenti i Federatës Turke të Futbollit, İbrahim Hacıosmanoğlu, si dhe sekretari i përgjithshëm, Abdullah Ayaz.
Delegacioni i Kombëtares turke do të niset nga Aeroporti i Stambollit drejt Prishtinës në orën 16:30 me një fluturim të Turkish Airlines.
Kombëtarja do të zhvillojë një shëtitje të shkurtër në stadiumin ku do të luhet ndeshja “Fadil Vokrri”, në orën 19:00 sipas kohës turke (18 sipas kohës locale në Kosovë). Pas kësaj, trajneri Vincenzo Montella dhe kapiteni Hakan Çalhanoğlu do t’u përgjigjen pyetjeve të mediave.