Në prag të sfidës vendimtare ndaj Turqisë, ylli i Besiktasit, Milot Rashica, në një intervistë për “SOZCU”, ka deklaruar se Kosova është gati për historinë.
Kosova dhe Turqia nesër mbrëma përballen në ‘Fadil Vokrri’ në finalen e madhe të pley-off-it për Kupën e Botës 2026.
Rashica e cilësoi këtë duel si më të rëndësishmin për gjeneratën aktuale.
“Jemi vetëm një hap larg një arritjeje që do të mbetet në histori. Kjo na motivon jashtëzakonisht shumë”, u shpreh ai.
Rashica pranoi se kundërshtari ka avantazh në përvojë, por theksoi se kjo nuk ndikon në besimin e skuadrës kosovare.
“E dimë cilësinë e tyre, por edhe ne kemi treguar se mund të përballemi me çdo ekip. Forca jonë është grupi dhe besimi te njëri-tjetri”, deklaroi ai.
Sulmuesi shtoi se skuadra po e përjeton këtë moment pa presion, por me shumë dëshirë për sukses.
“Nuk kemi asgjë për të humbur, vetëm për të fituar. Do të japim maksimumin dhe do të luftojmë për çdo top”, tha Rashica.
Në fund, ai theksoi lidhjen e veçantë me Turqinë, por bëri të qartë se në fushë prioritet mbetet vetëm Kosova.
“Kam respekt të madh për Turqinë, por kur nis ndeshja, unë luftoj vetëm për vendin tim”, përfundoi ai.