Ç' solli seanca e sotme për “Kobrën” dhe tjerët në Gjykatën e Apelit ?

- Gazeta e Prizrenit

Ç' solli seanca e sotme për “Kobrën” dhe tjerët në Gjykatën e Apelit ?

Në Gjykatën e Apelit të hënën është mbajtur seanca ku u elaboruan ankesat e palëve ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë në rastin e të akuzuarve Dibran Hoxhaj i njohur si “Kobra” dhe katër të tjerëve: Roland Susuri, Arben Vezaj, Burim Mazreku dhe Jesmir Badalli, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në lokalin “Kobra City” më 3 janar 2023 në Prizren. Mbrojtja kërkoi nga kolegji i Apelit të ndryshohet vendimi i shkallës së parë ose të kthehet rasti në rigjykim, kurse Prokuroria e Apelit dhe pala e dëmtuar kërkuan ashpërsim të dënimit.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 9 tetor 2025 e ka dënuar me 24 vjet burgim Dibran Hoxhajn i njohur si “Kobra”, kurse Roland Susurin me dënim unik prej 7 vjet burgim, Jesmir Badallaj u dënua me dënim unik prej 2 vjet burgim, Arben Vezaj dhe Burim Mazreku u dënuan me nga 1 vit burgim, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Seanca e Kolegjit të Apelit u mbajt nga trupi gjykues i përbërë nga Mentor Bajraktari- gjyqtar raportues, Albina Shabani-Rama kryetare e kolegjit, dhe Valon Kurtaj- anëtar.

Gjyqtari Bajraktari në raportimin e lëndës njoftoi se kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kanë parashtruar përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Emrush Kastrati për shkak të vendimit mbi dënimin, duke propozuar që vendimi i nxjerrë nga Themelorja të ndryshohet dhe të akuzuarve t’iu shqiptohet dënim më i lartë me burgim.

Avokati Kastrati edhe në këtë seancë deklaroi se mbetet pranë ankesës së parashtruar.

Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që të aprovohet ankesa e avokatit Kastrati, ndërsa për të akuzuarin Hoxhaj të shqiptohet dënim më i lartë. Ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtjes së të akuzuarve.

Në seancën e Apelit nuk prezantoi askush nga kjo Prokurori.

Gjithashtu, kundër aktgjykimit të Themelores ankesë kanë paraqitur edhe mbrojtja e të akuzuarve. Mbrojtësit e Hoxhaj, avokatët Florent Latifaj dhe Musa Konxheli kanë parashtruar ankesë mbi bazën e shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe lidhur me sanksionin penal.

Mbrojtja e “Kobrës” ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i shkallës së parë dhe të lirohet i akuzuari Hoxhaj ose rasti të kthehet në rigjykim.

Mbrojtësi i të akuzuarit Susuri, avokati Ruhan Salihu ka parashtruar ankesë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe lidhur me sanksionin penal, duke propozuar që të ndryshohet aktgjykimi dhe të lirohet i akuzuari Susuri ose rasti të kthehet në rigjykim.

Për të akuzuarin Badalli, ankesë ka prashtruar mbrojtësi i tij, avokati Jeton Rekathati mbi bazën e vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe Ligjit Penal, duke propozuar lirimin e të mbrojturit të tij ose kthimin e çështjes në rigjykim.

Avokati Blend Gjini, mbrojtës i të akuzuarit Mazreku ka parashtruar ankesë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të ligjit material, me propozimin që ankesa të aprovohet dhe çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërsa, avokati Gent Gjini, mbrojtës i të akuzuarit Vezaj ka parashtruar ankesë për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike dhe aplikimit të gabuar të ligjit material, me propozimin që rasti të kthehet në rigjykim.

Pretendimet ankimore, avokatët i elaboruan edhe në seancën e Apelit, duke theksuar se mbeten pranë tyre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 20 shkurt 2024, ka ngritur aktauzë kundër Dibran Hoxhajt i njohur si “Kobra” dhe Roland Susurit, Arben Vezajt, Burim Mazrekut dhe Jesmir Badallit, për vrasjen e shtetasit të Shqipërisë në Prizren më 3 janar 2023.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, “Kobra”, akuzohet se më 3 janar 2023, në ora 4:10, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, në magjistralen Prizren-Zhur, me dashje ka privuar nga jeta V.C, duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve R.T (Sh) dhe A.B.

Deri të rasti, sipas aktakuzës së Prokurorisë kishte ardhur pasi të dëmtuarit nuk ishin pajtuar me faturën e lartë në lokal, duke filluar kështu një zënkë me punëtorët e lokalit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit