Dinamo në “kryqëzim”

- Bota Sot

Dinamo në “kryqëzim”

Dinamo po vijon prej ditësh me përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat, e cila është planifikuar të luhet të shtunën në “Air Albania”.

Të besuarit e Dajës kanë pasur mundësi që më në fund të kenë disa ditë pushimi dhe mundësi rikuperimi duke qenë se pushimi për shkak të ndeshjeve të Kombëtares duket sikur ka ardhur në momentin e duhur.

Megjithatë, nga infermieria lajmet nuk janë shumë të mira duke qenë se Guindo dhe Qefalija ende nuk e kanë kaluar dëmtimin e pësuar disa ditë më parë dhe kanë nevojë edhe për një pushim pak më të gjatë dhe me shumë gjasa, do të rikthehen në ndeshjen e radhës në kampionat pas Elbasanit, duke qenë se në mesjavë fillimisht është Kupa e Shqipërisë ndaj Vllaznisë.

Pjesa tjetër e skuadrës ka qenë e plotë, me përjashtim të Naser Alijit që po angazhohet me Kombëtaren dhe nuk ka qenë në shërbim të stafit teknik për përgatitjet e këtij takimi.

KALENDARI– Menjëherë pas pushimeve, Dinamon e pret një kalendar i ngjeshur dhe i vështirë, ku pas sfidës me Elbasanin do të përballet në shtëpi me Vllazninë në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë.

Blutë që janë aktualisht edhe fituesit e Kupës, do të tentojnë që ndaj Vllaznisë të marrin një rezultat pozitiv dhe të kenë gjithçka më të lehtë për ndeshjen e kthimit në Shkodër. Pas Kupës, Dinamon e pret një tjetër takim i vështirë duke qenë se do të përballet me Bylisin në transfertë, skuadër kjo që kërkon me doemos fitoren për të siguruar mbijetesën në Superiore.

Pas Bylisit, Dinamo ka dy ndeshje të tjera me rivalë që kërkojnë fitore për të mbijetuar dhe janë respektivisht Flamurtari dhe Tirana, si edhe kthimi në Kupë ndaj Vllaznisë. Në 3 javët e fundit, Dinamo ka garë me rivalë direkt për zonën e “Final 4”, ku fillimisht ka Egnatian e Vorën në shtëpi dhe do të mbyllë kampionatin e rregullt në transfertë ndaj Partizanit, ku edhe mund të vendoset përfundimisht fati i “Final 4”.

RENDITJA- Aktualisht, Dinamo e sheh veten në vendin e pestë në klasifikim me 40 pikë dhe ka 4 pikë më pak se Partizani i vendit të katërt. Dinamo duhet të fitojë ndeshjet e saj dhe të shpresojë që Partizani të ndalet të paktën dy herë, ndërkohë që nga poshtë ndjen edhe presionin e Teutës që ka vetëm 2 pikë më pak se Dinamo.

Sa i përket Kupës, për Dinamon është rruga më e shkurtër për të arritur në Europë duke qenë se është i vetmi ekip në Kupë që e sheh veten jashtë “Final 4”.

Blutë duhet të eliminojnë Vllazninë e më pas gjithçka do të përcaktohet në datën 13 maj në “Air Albania”, ku edhe do të luhet finalja e madhe e Kupës së Shqipërisë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot