Bajerni po hyn në fazën vendimtare të sezonit. Trajneri Vinsent Kompani mund të marrë frymë i lehtësuar për një moment.
Pas një jave pa stërvitje, trajneri Vinsent Kompani mblodhi ekipin e tij, ose të paktën lojtarët që janë në dispozicion për shkak të grumbullimeve me kombëtaret, të hënën pasdite në qëndrën stërvitore në Mynih.Në seancën e parë stërvitore të ekipit që nga fitorja 4-0 kundër Union Berlin, Pavloviç mori pjesë së bashku me portierin Manuel Nojer.
Mesfushori kishte munguar në ndeshjen e fundit për shkak të problemeve në ijë dhe më pas anuloi edhe grumbullimin me kombëtaren gjermane.
Pikërisht në kohë për fazën vendimtare të sezonit, lojtari i akademisë së Bajernit, së bashku me Jamal Musiala dhe Alfonso Dejvis, ka rifilluar një pjesë të stërvitjes me ekipin dhe ai është i nevojshëm.
Edhe pse Leon Goretzka ka qenë në një formë shumë të mirë kohët e fundit, trajneri Kompani vazhdon t’i besoj Pavloviç pranë liderit Xhoshua Kimish në ndeshjet e mëdha.
Po aq i rëndësishëm është rikthimi dhe shëndeti i mirë i kapitenit Nojer. Veterani kishte rifilluar stërvitjen me ekipin edhe para pushimit, por ende nuk kishte luajtur në ndeshje për shkak të një dëmtimi tjetër muskulor në pulpë.
Kjo duhet të ndryshoj patjetër të shtunën në ndeshjen kundër Frajburgut, sidomos pasi zëvendësuesi Jonas Urbig u largua më herët nga grumbullimi i kombëtares për shkak të një dëmtimi në gju, ndërsa portieri tjetër Sven Ulrajsh me shumë mundësi nuk do të jetë i disponueshëm për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të një dëmtimi të rëndë muskulor.
Gjatë javës do të rikthehen edhe lojtarët e kombëtareve, me ngarkesa të ndryshme. Luis Diaz, për shembull, ishte titullar në miqësoren e Kolumbisë kundër Francës, ndërsa Olise u aktivizua nga stoli të dielën. Herri Kejn u pushua nga Tomas Tuhel para se të bashkohej me kombëtaren angleze në Londër.
Drejtuesit e Bajernit do të ndjekin nga afër edhe ndeshjen e së martës, ku Austria e Konrad Laimer do të përballet me Korenë e Jugut. Laimer kishte raportuar probleme të lehta në gju dhe për këtë arsye mungoi në fitoren 2-1 kundër Ganës.