Bosnja dhe Hercegovina trondit Italinë, kualifikohet në Kampionatin Botëror pas penalltive

- Bota Sot

Bosnja dhe Hercegovina trondit Italinë, kualifikohet në Kampionatin Botëror pas penalltive

Bosnja dhe Hercegovina është kualifikuar në Kampionatin Botëror, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, pasi mposhti Italinë në finalen e play-off-it në Zenicë pas penalltive me rezultat 4:1.

Ndeshja përfundoi 1:1 pas 120 minutash lojë, ndërsa boshnjakët triumfuan nga pika e bardhë, duke arritur një sukses historik. 

Italia kaloi në epërsi, por mbeti me një lojtar më pak

Italia kaloi në epërsi në minutën e 15-të pas një gabimi të madh nga portieri vendas Nikola Vasilj. Ai gaboi në pasim dhe topi arriti te Nicolo Barella, i cili asistoi për Moise Kean. Ky i fundit shënoi me një goditje të saktë nga rreth 15 metra për avantazhin e italianëve.

Pavarësisht golit të pësuar, kombëtarja e Bosnjës dhe Hercegovinës rriti presionin dhe krijoi disa raste, por pa arritur konkretizim.

Momenti kyç i pjesës së parë ndodhi në minutën e 41-të, kur mbrojtësi Alessandro Bastoni, si lojtari i fundit në mbrojtje, rrëzoi Amar Memiq. Gjyqtari francez Clement Turpin i tregoi karton të kuq direkt, duke e lënë Italinë me një lojtar më pak.

Bosnja barazoi

Në pjesën e dytë, Bosnja dhe Hercegovina shfrytëzoi epërsinë numerike dhe filloi të rrethonte portën italiane. Rastet u shtuan para portierit Gianluigi Donnarumma, i cili mbajti në lojë Italinë me disa pritje të shkëlqyera.
Italia humbi një rast të artë në minutën e 60-të, kur Moise Kean, pas një kundërsulmi, doli i vetëm përballë portierit, por goditi jashtë portës.

Presioni i vendasve dha rezultat në minutën e 79-të, kur pas një krosimi nga krahu i djathtë, topi arriti te Haris Tabakoviq, i cili shënoi golin e barazimit vetëm tetë minuta pasi hyri në lojë, duke ndezur festën në tribuna. 

Penalltitë vendosën fatin e ndeshjes

Në kohën shtesë, të dy skuadrat luajtën më të kujdesshme dhe lodhja u bë e dukshme. Rasti më i madh për Italinë erdhi nga Pio Esposito, goditja me kokë e të cilit u prit në mënyrë brilante nga Nikola Vasilj, duke korrigjuar gabimin e pjesës së parë.

Në serinë e penalltive, për Bosnjën shënuan Benjamin Tahiroviq, Haris Tabakoviq, Kerim Alajbegoviq dhe Esmir Bajraktareviq.

Te Italia, tragjikë rezultuan Pio Esposito, i cili humbi portën, dhe Bryan Cristante, që goditi traversën, ndërsa goli i vetëm u realizua nga Sandro Tonali. Penalltia vendimtare u shënua nga Esmir Bajraktareviq, i cili vulosi kualifikimin historik të Bosnjës dhe Hercegovinës në Kampionatin Botëror.



Lexoni të gjitha në Bota Sot