Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, është deklaruar pas humbjes ndaj Turqisë, në një ndeshje që u përjetua me emocione të mëdha nga lojtarët dhe tifozët. Ai ka vlerësuar lart paraqitjen dhe angazhimin e ekipit, duke theksuar se pavarësisht rezultatit, krenaria për rrugëtimin dhe përfaqësimin e vendit mbetet e paprekur.
Duke folur për KosovaPress pas ndeshjes, Shala ka theksuar se humbja nuk e zbeh aspak shkëlqimin e fushatës kualifikuese të Kosovës, duke nënvizuar përkushtimin e futbollistëve dhe mbështetjen e madhe që kanë marrë nga tifozët gjatë gjithë këtij rrugëtimi.
Shala: Dhimbja e sotme nuk e zbeh shkëlqimin e Kosovës
“Pas një humbjeje të tillë ku ata kanë dhënë gjithçka nga vetja nuk është e lehtë të reagohet mirë, mirëpo përtej kësaj ata janë shumë krenarë me mënyrën si kanë luajtur, janë shumë krenar për përkrahjen që e kanë marrë nga gjithë populli i Kosovës, janë krenar me emocionet që ia kanë sjellë gjithë popullit, janë krenarë me një fushatë fantastike kualifikuese që e kanë pasur, jo vetëm ata por gjithë ne që jemi rreth ekipit kombëtar jemi shumë krenar me ata. Dhimbja e sontme nuk e shuan dhe nuk e zbeh aspak shkëlqimin e kësaj fushate kualifikuese dhe krenarinë me të cilën Kosova ka luajtur në këto takime”, theksoi Shala.
Në vijim, ai është ndalur te aspekti emocional i ndeshjes, duke e përshkruar si një moment të vështirë për të gjithë, për shkak të afërsisë me një arritje historike. Sipas tij, emocionet dhe zhgënjimi janë të natyrshme, por ato duhet të shërbejnë si motiv shtesë për të ardhmen.
Shala: Është e vështirë të përmbahen emocionet
“Besoj që është e vështirë për të gjithë pavarësisht rolit por edhe për shikuesit edhe për të gjithë që të përmbahen nga emocionet në një ndeshje të tillë kur je aq afër një qëllimi aq të madh dhe një kualifikimi në një garë aq të madhe siç është Kampionati Botëror dhe lartësimit aq të madh të emrit të shtetit të Kosovës dhe përfundon në këtë formë, është e vështirë të mos jesh i emocionuar dhe dëshpëruar në moment por kjo nuk nënkupton aspak zbrapsje dhe ulje koke, nënkupton që vetëbesimi rritet, kërkesat rriten dhe Kosova duhet të vazhdojë përpara pa dhe me çdo kë në bordin e ekipit”, shtoi tutje Shala.
Në fund, Shala ka komentuar edhe situatën e sulmuesit Vedat Muriqi, duke bërë të ditur se çdo vendim lidhur me të ardhmen e tij në Kombëtare i takon vetë lojtarit dhe do të bëhet publik prej tij.
Shala: Muriqi do at thotë vet vendimin për të ardhmen e tij me Kosovën
“Lotët edhe të Vedatit edhe të të gjithë futbollistëve të tjerë janë pasqyrë e dhimbjes së madhe që e kanë ndjerë sonte. E ardhmja e Vedatit i takon atin për ta publikuar, nuk mund të flas absolutisht asgjë sepse është diçka që i takon personalisht Vedatit për ta thënë”, tha në fund Shala.