Bosnja dhe Hercegovina po feston kualifikimin e saj në Kupën e Botës, të dytin që nga pavarësia.
Në Zenicë, skuadra e Sergej Barbarez mposhti Italinë pas penalltive, pasi ndeshja përfundoi 1:1 në kohën e rregullt.
Një ditë pas ndeshjes, kapiteni i Bosnjës dhe Hercegovinës, 40-vjeçari Edin Xheko, iu drejtua publikut në një konferencë për shtyp.
Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave i Bosnjës dhe Hercegovinës nuk ishte në gjendje të gjuante penalltinë sepse dëmtoi shpatullën pak para fundit të ndeshjes.
Xheko ra në fushë nga dhimbjet dhe mjekët u përpoqën ta ndihmonin. Por ai nuk ishte në gjendje të gjuante penalltinë. Ai u tha gazetarëve se ndoshta ishte fat.
"Çfarë të them, e gjithë kjo më ndodhi mua.
E them përsëri, kam ndjesinë se është fat që ndodhi në sekondën e fundit të lojës dhe pastaj nuk munda të gjuaj penalltinë, e më pas dikush tjetër shënoi në vendin tim. Kush e di, ndoshta edhe sikur të gjuaja nuk do të shënoja.
E gjitha vjen nga lart. Sa i përket lëndimit, me shumë gjasë nuk do të kërkojë operacion, shpresoj të rikthehem brenda një muaji", tha Xheko.