Polonia mundi Shqipërinë në gjysmëfinalet e play-off të Botërorit, por nuk ia doli përballë Suedisë, pasi u mund me shifrat 3-2 dhe i dha lamtumirën ëndrrave për pjesëmarrjen në Kupën e Botës.
Dhe sipas polakëve, fajin e kishte gjyqtari kryesor, slloveni Slavko Vinçiç, si dhe asistentët e tij gjermanë në VAR, me Kristian Dingert si kryesor.
Polakët mendojnë se Vinçiç dhe grupi i tij, ka gabuar thuajse në çdo vendim të rëndësishem gjatë ndeshjes, ndaj portali polak “Sport.pl”, titulloi lajmin “Na vodhën!”.
Edhe eksperti i gjykimit polak, Rafal Rostkovski nuk u kursye me postimin në “X”. “Një gjykim katastrofë. Paraqitja e gjyqtarëve nga Sllovenia dhe ekipit të VAR nga Gjermania e ktheu ndeshjen e kualifikimit në Botëror në një cirk. Rrjedha e ndeshjes, rezultati dhe vendimi rreth kualifikimit, të gjitha u shtrembëruan”.
Gjithçka nisi para pushimit të ndeshjes, kur Suedia shënoi me një goditje dënimi të Lagerbielke. Por sipas polakëve, faulli i akorduar për të nuk ekzistonte dhe lojtari suedez kishte simuluar.
Më pas kishte pretendime për një faull ndaj Levandovskit para portës, ndërsa pas pushimit kishte një ndërhyrje ndaj Kaminskit në zonë për të cilën kërkonin penallti, pa sukses. Ish-gjyqtari Mishal Listkievic nuk kishte dyshime. “Meritonim penallti. Kishte një goditje me shkelm në këmbë, kishte kontakt.
As gjyqtari dhe as VAR-i nuk morën vendim të drejtë”, tha ai, duke ndezur edhe më shumë tifozët polakë që kanë protestuar ashpër në rrjetet sociale.