Alesandro Bastoni ka kaluar nga një prej futbollistëve më të vlerësuar në Itali, në një prej lojtarëve më të urryer.
Gjithçka nisi me Inter-Juventus të famshëm dhe festimin për të kuqin e Kalulu pas simulimit dhe tashmë vula i është vënë me kartonin e kuq në ndeshjen vendimtare ndaj Bosnjë Hercegovinës, që la Italinë përsëri pa Botëror.
Nëse në stadiume gjatë javëve të kaluar kishte vërshëllima kundër tij në ndeshjet e Interit, pas duelit me Bosnjën tërbimi ka shpërthyer në rrjete sociale, ku pas ndeshjes kanë qenë me mijëra italianë që kanë shfryrë inatin për eliminimin.
Në nja nga fotot, komentet shkuan deri në 13 mijë dhe kuptohet, nuk ishin lëvdata për mbrojtësin e Interit.
Kjo ka detyruar futbollistin që të bllokojë komentet në profilet e tij në rrjete sociale dhe të njëjtën gjë është detyruar ta bëjë pak më vonë edhe bashkëshortja e mbrojtësit të Interit, Kamila, e cila filloi të bëhej shënjestër e sharave dhe kërcënimeve nga tifozët italianë.
Një situatë e cila nuk pritet të lehtësohet në ditët në vijim, kur Bastoni të kthehet në fushë me Interin në Serinë A dhe të mundohet të ruajë vendin e parë për një titull që mund të jetë i fundit me zikaltrit para një largimi shumë të mundshëm nga Seria A në verë.