Mesfushori i Chelseat, Enzo Fernández, vazhdon të japë sinjale se do të ishte i interesuar për një transferim te Real Madridi gjatë kësaj vere.
Mesfushori argjentinas ka shprehur hapur dëshirën për të jetuar në kryeqytetin spanjoll, ndërsa “Los Blancos” janë në kërkim të një mesfushori qendror në merkato.
Fernández, për herë të katërt brenda tre javësh, ka lënë të kuptohet se e ardhmja e tij në “Stamford Bridge” është e pasigurt.
Ai është në vitin e tretë te Chelsea pas transferimit prej 121 milionë eurosh nga Benfica, por gjërat nuk kanë shkuar sipas planit, me londinezët që aktualisht luftojnë për një vend në Premierligë që siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, dhe jo për titullin.
Për herë të dytë këtë javë, Fernándezi deklaroi publikisht dëshirën për të jetuar në Spanjë, gjatë një interviste për “Luzu TV”, të cituar nga “Marca”:
“Gjithmonë i them gruas sime që, nëse do të më duhej të zgjidhja një qytet europian për të jetuar, do të zgjidhja Madridin. Është shumë i ngjashëm me Buenos Airesin, ushqimi, gjithçka…”, tha ai.
Gjatë intervistës ishte i pranishëm edhe Franco Mastantuono, i cili konfirmoi se “natyrisht” do të donte ta kishte Fernándezin si shok skuadre në klub.
Duke vazhduar të japë sinjale të qarta për një kalim të mundshëm te Real Madridi, Fernándezi përmendi edhe Toni Kroosin si një nga lojtarët që e ka impresionuar më së shumti.
“Meqë luaj në të njëjtin pozicion, gjithmonë përpiqem të studioj mesfushorët kundërshtarë, dhe më ka bërë shumë përshtypje Toni Kroos.
Kam luajtur kundër Real Madridit në ‘Bernabéu’, dhe si ai ashtu edhe Luka Modrić janë të jashtëzakonshëm; kanë shumë cilësi”, shtoi ai.
Sipas raportimeve të “The Telegraph”, deklaratat e tij kanë filluar të bezdisin shokët e skuadrës.
Mes dyshimeve të vazhdueshme për të ardhmen dhe kritikave ndaj bashkëlojtarëve pas humbjeve ndaj Newcastle Unitedit dhe Paris Saint-Germainit, atmosfera në dhomat e zhveshjes nuk është më e mira.
Chelsea ka publikuar në rrjetet sociale një foto të Fernándezit me mbishkrimin “Always Blue”, ndërsa ai ka kontratë deri në vitin 2032.
Megjithatë, 25-vjeçari duket qartë se po lë të kuptohet se është i hapur për një transferim te Real Madridi, edhe pse deri tani klubi londinez nuk ka dhënë shenja se do ta lejojë largimin e tij.