Çka përmbante raporti prej 900 faqesh i Baggios, për përmirësimin e futbollit italian?

- Bota Sot

Çka përmbante raporti prej 900 faqesh i Baggios, për përmirësimin e futbollit italian?

Përmbajtja e një raporti prej 900 faqesh të paraqitur nga legjenda Roberto Baggio është rikthyer në diskutimet e tifozëve pas dështimit të tretë radhazi të Italisë për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.

Se çfarë dihet për këtë raport dhe ndryshimet që ai kishte propozuar që para 15 vitesh, shkruan “Football Italia”.

Në gusht të vitit 2010, Baggio u emërua në krye të sektorit teknik të Federatës Italiane të Futbollit (FIGC) dhe në dhjetor të vitit 2011 ai paraqiti një raport voluminoz prej 900 faqesh, ku propozonte një reformë të thellë të metodave të trajnimit dhe zhvillimit të talenteve të rinj.

Baggio dha dorëheqje nga posti i tij në vitin 2013, duke deklaruar se rekomandimet e tij ishin injoruar plotësisht.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, ai kishte kërkuar infrastrukturë sportive “të përshtatshme” dhe krijimin e 100 qendrave të ndryshme stërvitore të menaxhuara nga FIGC.

Një tjetër pikë kyçe ishte ndryshimi i mënyrës së përgatitjes së trajnerëve.

Baggio dëshironte të fokusohej te trajnerë të mirëarsimuar, idealisht me diploma universitare dhe me eksperienca të ndryshme profesionale, jo domosdoshmërisht vetëm në futboll.

Ai kishte propozuar gjithashtu krijimin e një grupi të përhershëm studimor, të përbërë nga anëtarë të FIGC-së dhe studiues universitarë, që do të ishin në kontakt të vazhdueshëm me trajnerët dhe stafet teknike.

Një tjetër element i rëndësishëm ishte përmirësimi i madh i mbledhjes së të dhënave në sektorin e moshave.

Baggio synonte krijimin e 100 qendrave stërvitore në 100 zona të ndryshme të Italisë, me nga tre trajnerë të FIGC-së në secilën, duke synuar organizimin e rreth 50,000 ndeshjeve në vit për talentet e reja italiane.

Ai gjithashtu theksonte se po i kushtohej shumë vëmendje aspektit taktik në dëm të teknikës – një debat që vazhdon të jetë aktual edhe në vitin 2026.

Edhe pse këto ide u injoruan 15 vite më parë, tani, me pritshmëritë për reforma të mëdha në FIGC dhe në kombëtaren italiane, Italia mund të jetë e mençur t’i rikthehet propozimeve që Baggio kishte bërë që në vitin 2011.



Lexoni të gjitha në Bota Sot