Juventus Serava për të dytin vit radhazi eliminohet në gjysmëfinale të Kupës!

- Bota Sot

Juventus Serava për të dytin vit radhazi eliminohet në gjysmëfinale të Kupës!

KFV Juventus Serava është eliminuar në gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë në futsal, pasi sonte në Veles u mund nga Kegi Mobi pas ekzekutimit të penaltive, kjo pasi ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 4:4.

Fillimi i ndeshjes nuk doli të jetë i mbarë për “bardhezinjtë” nga Serava, të cilët ishin në disavantazh prej 3 golave, 4:1.

Megjithatë, edhe përkundër këtij disavantazhi, Juventus Serava gjeti forcë për tu rikthyer dhe për të barazuar rezultatin në 4:4.

Një rikthim që flet për zemrën, besimin dhe shpirtin e kësaj skuadre, për të cilën gjatë kohës së rregullt dy gola shënoi Qendrim Abazi, derisa nga një gol tjetër shtuan Furkan Shabani dhe Omer Osmani.

Fatkeqësisht, penaltitë vendosën fatin e këtij takimi dhe fitoren e Kegi Mobi në fund me shifrat 5:4.

Pas finalizimeve të sakta të Qendrim Abazit, Furkan Shabanit, Shefki Berishës dhe Armando Alijeviq, i vetmi që nuk shënoi në serinë e fundit, ishte Ismail Abdullahu.

Është ky sezoni i dytë radhazi që Juventus Serava eliminohet në fazën gjysmëfinale të Kupës, garë në të cilën kjo skuadër kishte triumfuar në sezonin 2017/18.



Lexoni të gjitha në Bota Sot