Kombëtarja e Kosovës ka bërë krenarë të gjithë shqiptarë kudo qe jetojnë e veprojnë.
Kombëtarja jonë për një fije floku nuk u kualifikua në Kampionatin Botëror në futboll, por fati sportiv ia ktheu shpinën, duke pësuar humbje në Prishtinë me rezultat 1:0 nga Turqia.
Trajneri i trajnerëve, selektori i parë kombëtares së Kosovës Ajet Shosholli, ka bërë një analizë të gjatë për djelmoshat tanë që ia zbardhen fytyrën shtetit dhe kombit shqiptar.
“Jo të dëshpërohemi, por të krenohemi!
Kanë kaluar dy ditë nga ndeshja historike që e zhvilluam me kombëtaren e Turqisë, ku fati nuk deshi që ta shkruajmë historinë dhe të jemi pjesë e Botërorit 2026.
Natyrisht që ka opinione të ndryshme rreth kësaj ndeshjeje, por shtrohet pyetja: me rezultatet e deritanishme të djemve tanë Dardanë, a duhet të dëshpërohemi apo të krenohemi?
Mendoj se gjithsesi duhet të krenohemi me rezultatet e këtij rrugëtimi historik, sepse futbolli është i tillë që di të shpërblejë, por edhe (në momente) të zhgënjejë.
Në futboll nuk ka asgjë absolute, çdo gjë është relative.
Në futboll nuk fiton gjithmonë më i miri, apo nuk merr gjithmonë atë që e meriton, sepse sikurse jeta që është e paparashikueshme, edhe futbolli është i paparashikueshëm.
Pse duhet të krenohemi me Dardanët tanë?
Sepse në këtë rrugëtim historik (kualifikime), së pari arritëm që të avancojmë nga grupi C në grupin B dhe me lojëra cilësore që treguam, arritëm fillimisht ta mposhtim Islandën, më pas dy herë Suedinë (kombëtare që pothuajse çdo herë është pjesëmarrëse në kampionate evropiane dhe botërore), si dhe mposhtëm Slloveninë dhe Sllovakinë. Pra, renditëm katër fitore radhazi me një golaverazh impozant 9:3.
Të gjitha këto rezultate na mundësuan që të luajmë në një finale të madhe me kombëtaren e Turqisë, e cila ka një vlerë prej plot 450 milionë eurosh, me yjet e saj me nam si Arda Güler, Hakan Çalhanoglu, Kenan Yıldız e të tjerë.
Pa hyrë shumë në analizë të thellë për këtë ndeshje, them se jo vetëm që ishim rival i barabartë i këtyre yjeve, por në momente edhe më të mirë se ata.
Në pjesën e parë, me rezultat 0:0, goditëm edhe shtyllën, por fati nuk ishte me ne.
Po të kishim shënuar, besoj se rrjedha e lojës do të ishte krejt ndryshe.
Më pas, në pjesën e dytë, pësuam nga një aksion jo shumë i rrezikshëm, por futbolli është i tillë që shpesh detajet janë ato që e vendosin ndeshjen.
Por duhet të krenohemi me djemtë tanë Dardanë, sepse kauzën e njohur në të gjithë botën: "Se sporti është ambasadori më i mirë i një shteti" me rezultatet që i arritën, e jetësuan edhe në praktikë këtë kauzë, sepse gjatë gjithë muajit mars, shteti ynë, Kosova, ishte në agjendat e qendrave më të mëdha evropiane dhe botërore, duke afirmuar shtetin dhe shtetësinë e Kosovës.
Duhet të krenohemi se kemi formuar një kombëtare të fortë dhe respektabile, që është në gjendje të përballet edhe me kombëtaret më të mëdha, jo vetëm evropiane, por edhe më gjerë.
Edhe më e rëndësishme, përveç rezultateve dhe lojës cilësore, duhet të krenohemi se kemi prodhuar dhe afirmuar shumë futbollistë të rinj si: Gallapeni, Dellova, Ilir Krasniqi, Hajrizi, Hajdari, Hoxha, Avdullahu, Asllani, Albion Rrahmani, Rexhbeçaj, të cilët krahas futbollistëve me përvojë si dy kapitenët Vedat Muriqi dhe Amir Rrahmani, si dhe Mërgim Vojvoda, Milot Rashica, Edon Zhegrova, Muslija, Aliti dhe Arijanet Muriç, do të jenë. në fakt veç janë. e ardhmja e kombëtares sonë.
Me inkuadrimin e këtyre futbollistëve të rinj, në fakt në mënyrë të qetë po ndodh edhe ngadalë ndërrimi i gjeneratës, por me rezultate shumë të mira, e që është edhe arritja më e madhe në këtë cikël kualifikimesh, pasi shumë kombëtare të tjera ndërrimin e gjeneratës e përballojnë me vështirësi të mëdha.
Gjithsesi, meritorë për të gjitha këto janë ata që janë afër kombëtares dhe pjesë e saj, duke filluar nga vetë kreu i federatës, stafi profesional dhe vetë futbollistët, të cilët janë gjithmonë më meritorët për sukseset e arritura.
I urojmë djemtë Dardanë për rezultatet e arritura deri më tani dhe shpresojmë që do të jemi të gatshëm për sfidën e radhës, e cila është Kampionati Evropian i ardhshëm”, ka shkruar Shosholli në profilin e tij në facebook.