Trajneri i njohur rumun Mircea Lucescu njoftohet se pësoi një atak në zemër sot në mëngjes (3 prill) , ndërsa ishte ende në Spitalin Universitar dhe po bëhej gati të dilte pas disa kontrolleve mjekësore.
Trajneri 80-vjeçar i Kombëtares Rumune dhe babai i Razvanit, u shtrua në spital në këtë qendër, pas episodit të të fikëtit që pati të dielën e kaluar në mëngjes (29 mars), ku u rrëzua gjatë stërvitjes.
Megjithatë, sot, ndërsa ai po ecte normalisht vetë në mëngjes, ai u transferua me barelë në kujdesin intensiv, me presion të lartë të gjakut. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve, jeta e tij u shpëtua.
Sipas mediave lokale, tekniku iu nënshtrua angioplastikës primare dhe gjendja e tij është aktualisht e qëndrueshme.
Ai është nën monitorim të ngushtë nga mjekët specialistë.
“Këtë mëngjes, pacienti pësoi një infarkt akut të miokardit.
Ai u transportua me urgjencë dhe menjëherë mori ndërhyrjet e nevojshme mjekësore dhe terapeutike, në përputhje me protokollet aktuale”, njoftoi SUUB.
Lucescu ishte shkarkuar orë më parë nga detyra e trajnerit të Rumanisë pas dështimit për ta kualifikuar kombëtaren për Botërorin 2026 të futbollit që zhvillohet në SHBA-Meksikë-Kanada gjatë verës.