Martin Brandëll, ish-pilot i Formulës 1 nga viti 1984 deri në 1996-ën dhe aktualisht komentator në “Sky Sports”, ka reaguar ndaj deklaratave të Maks Vershtapen dhe ka folur edhe për mundësinë e tërheqjes së tij në fund të sezonit.
Britaniku tregohet shumë kritik ndaj pilotit të Red Bullit, duke thënë se është lodhur nga komentet e tij dhe madje e ka krahasuar me figurën e Mikael Shumakerit.
Durimi i “shkollës së vjetër” duket se ka arritur kufirin për shkak të qëndrimit të Vershtapenit. Në një fillim të trazuar të sezonit 2026, ku rregullorja e re me motorë hibridë 50/50 ka ndryshuar ndjeshëm renditjen, katër herë kampioni i botës nuk ka reshtur së shprehuri pakënaqësinë ndaj kësaj epoke të re.
Megjithatë, Brandëll ka vendosur të flasë hapur me një frazë që tashmë po përhapet në gjithë “paddock”-un e Formulës 1: “Ose largohu, ose ndalo së foluri për këtë”.
Përplasja e deklaratave erdhi pas Çmimit të Madh të Japonisë, ku Vershtapen përsëriti se ky format gare, i përqendruar tepër te menaxhimi elektrik, nuk i jep “asnjë kënaqësi”. Ndërkohë, Brandëll, si një zë me peshë në “Sky F1”, nuk është përmbajtur në analizën e tij.
KRAHASIMI ME SHUMAKERIN – Sipas komentatorit, ndryshimi mes legjendave të mëdha qëndron te mënyra si menaxhojnë krizat. Ai e krahasoi Maksin me Shumakerin, duke thënë:
“Mikaeli nuk do t’i nxirrte kurrë në publik problemet e këtij sporti në këtë mënyrë. Shtatë herë kampioni i botës gjithmonë punonte në heshtje, pa nënvlerësuar askënd nga skuadra në publik.
Edhe në periudhat më të vështira te Ferrari, ai nuk pati asnjë fjalë apo gjest negativ ndaj ekipit që i dha gjithçka”.
Brandëll ka qenë i prerë në podkastin e fundit të “Sky F1”, duke theksuar se nuk e pranon që një figurë kryesore e sportit ta dëmtojë kompeticionin publikisht: “Maks është shumë i drejtpërdrejtë, gjithmonë ka qenë. Por kjo po bëhet e lodhshme. Ose largohu, ose ndalo së foluri për këtë.
Shumakeri do të kishte reaguar fort në privat dhe do të dilte para publikut me buzëqeshje. Kjo po i bën dëm sportit ndërkohë që ai ende është pjesë e tij”. Ai shkoi edhe më tej, duke kujtuar se Formula 1 nuk pret askënd: “Nëse Vershtapen largohet, sporti do të vazhdojë.
Ka një listë me talente si Andrea Kimi Antoneli, Oliver Bearman dhe Arvid Lindblad që presin shansin e tyre për vetëm 1% të pagës së tij”.
VERSHTAPEN JUSTIFIKOHET – Nga ana e tij, Vershtapen ka sqaruar se pakënaqësia e tij lidhet me mungesën e entuziazmit për Formulën 1 aktuale, dhe jo drejtpërdrejt me fillimin e vështirë të sezonit për Red Bullin apo me rezultatet.
Por Brandëll i është përgjigjur kështu: “Afeksioni dhe komentet e pilotëve janë drejtpërdrejt proporcionale me performancën e makinës së tyre”, ndërsa e mbyll me një sqarim: “Nuk e them në mënyrë negative apo sipërfaqësore, sepse të gjithë janë të programuar për të fituar. P
or është e qartë se kur makina jote nuk është konkurruese dhe nuk je pranë kryesimit, flet më shumë se ata po dominojnë.